Ferizaj dhe Drenica kanë regjistruar fitore të mëdha në xhiron e 25-të të Superligës së futbollit.
Ferizajasit e mposhtën Prishtinën me rezultat të thellë 3:0 në “luftën” e tyre për t’ju shmangur rënies nga liga, shkruan “Gazeta Express”.

Nga ana tjetër, kriza e thellë e Bardhekaltërve po vazhdon dhe pas kësaj humbjeje thuajse i kanë humbur gjasat për titull të kampionit.
Golat për ferizajasit i shënuan Oguns, Silva dhe Berisha.
Ndërkohë, Drenica e regjistroi po ashtu një fitore të madhe ndaj Malishevës me rezultat 4:2.

Kuqezinjtë me këtë fitore vazhdojnë të shpresojnë që t’i ikin më të keqes – rënies nga liga, kurse Malisheva e bëri një hap prapa vendeve që çojnë në Evropë.
Dy gola për vendësit i shënoi Igball Jashari, kurse nga një e shtuan Kreshnik Uka dhe Andi Veliqi, kurse dy golat e pamjaftueshëm për mysafirët i realizuan Diatta dhe Zeka. /Gazeta Express