FIFA ka reaguar në lidhje me tensionet rreth Botërorit 2026, duke nënvizuar se shpreson që të gjitha kombëtaret ta respektojnë kalendarin e ndeshjeve siç është caktuar, përfshirë edhe Iranin.
Në një komunikatë zyrtare, organizata ndërkombëtare e futbollit e theksoi rëndësinë e mbajtjes së formatit dhe agjendës së turneut që do të zhvillohet këtë verë në SHBA, Kanada dhe Meksikë, dhe se kalendari i botërorit është planifikuar dhe publikimi i tij është bërë që në dhjetor 2025, me datat dhe vendet e ndeshjeve tashmë të fiksuara, përcjell “Gazeta Express”.
Situata është ndjekur me vëmendje, veçanërisht për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe tensioneve ndërkombëtare, që kanë ngritur pikëpyetje rreth pjesëmarrjes së disa kombëtareve.
FIFA ka theksuar se nuk ka plan për ta ndryshuar kalendarin e ndeshjeve, pavarësisht kërkesave apo shqetësimeve që mund të kenë federatat kombëtare lidhur me sigurinë apo rrethanat e tjera.
Kjo e përfshin edhe situatën e Iranit, i cili ka shprehur shqetësime rreth sigurisë së ekipeve të tij pas tensioneve gjeopolitike dhe e ka diskutuar mundësinë e zhvendosjes së ndeshjeve drejt Meksikës, por FIFA deri më tani është shprehur se planifikimi do të mbetet ashtu siç është dhe se çdo ndryshim në agjendë është jashtë diskutimit për momentin.
Organizata gjithashtu ka deklaruar se është në kontakt të rregullt me të gjitha federatat e përfshira, përfshirë edhe atë iraniane, dhe se është angazhuar për ta monitoruar situatën ndërkombëtare dhe sigurinë e pjesëmarrësve, ndërsa po e vazhdon punën dhe përgatitjet për turneun më të madh të futbollit global që do të nisë në qershor.
Konflikti i fundit në Lindjen e Mesme dhe tensionet politike e kanë nxitur një debat të gjerë mbi sigurinë dhe pjesëmarrjen, por FIFA ka përsëritur se qëllimi kryesor është që të gjitha Kombëtaret ta respektojnë kalendarin e Botërorit dhe të garojnë sipas programit të planifikuar, pa ndryshime të papritura. /Gazeta Express