Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka folur për objektivat e skuadrës së tij dhe për momentin që po e kalon ekipi, me një sy nga Liga e Kampionëve dhe një tjetër nga rritja e talenteve të rinj si Max Dowman.
Duke folur për garën evropiane, trajneri spanjoll është shprehur me kujdes, por edhe me optimizëm, shkruan “Gazeta Express”.
“Champions League? Shpresojmë t’ia dalim. E dimë që është shumë e vështirë, sepse niveli është shumë i lartë dhe çdo ndeshje është e komplikuar, por ne duam të provojmë deri në fund dhe ta japim maksimumin.”
Arteta e ka theksuar rëndësinë e vazhdimësisë dhe përqendrimit në një kompeticion të tillë, ku detajet e bëjnë diferencën: objektivi i “Topçinjve” është të ecin sa më larg, duke qenë të vetëdijshëm për vështirësitë që i paraqet turneu.
Në këtë sezon, Arsenali po përpiqet të konfirmohet në elitën evropiane dhe të jetë protagonist deri në fund.
Një pjesë e intervistës i është kushtuar edhe talentit shumë të ri të skuadrës, Max Dowman, i cili po e tërheq vëmendjen me paraqitjet e tij.
Për të, Arteta ka pasur vetëm fjalë pozitive: “Ai e jeton gjithçka me shumë normalitet. Kjo është gjëja më e bukur. Nuk e ndjen presionin, nuk e komplikon situatën, thjesht e luan futbollin e tij.”
Trajneri e ka vlerësuar pjekurinë e jashtëzakonshme të lojtarit të ri, duke nënvizuar se ambienti i klubit po ndihmon shumë në zhvillimin e tij: një faktor kyç për ta mbrojtur dhe rritur një talent kaq të ri, i cili po hyn gradualisht në skuadrën e parë.
Edhe nga brenda ekipit, ndikimi i tij shihet pozitiv dhe motivues për grupin.
Në përfundim, Arteta ka lënë të kuptohet se Arsenali duhet të vazhdojë në këtë rrugë, duke e kombinuar eksperiencën me energjinë e të rinjve, për të synuar rezultate të mëdha si në Angli ashtu edhe në Evropë. /Gazeta Express