Demokratët në Pogradec, Vlorë dhe Shkodër iu drejtuan këtë të diel kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të degëve të Partisë Demokratike në këto qytete.
Në Pogradec, gara u zhvillua mes Oligert Muçollarit dhe ish-kryetarit të degës, Kasëm Galla. Muçollari u shpall fitues me 247 vota, kundrejt 224 votave të Gallës, ndërsa 6 vota rezultuan të pavlefshme.
Procesi zgjedhor u zhvillua edhe në Vlorë, ku përballë njëra-tjetrës ishin Nada Mecorapaj dhe Darling Banushaj. Mecorapaj fitoi bindshëm me 496 vota, ndërsa Banushaj mori 106 vota. Në këtë proces u shpallën të pavlefshme 13 vota.
Ndërkohë në Shkodër, gara u zhvillua mes Ardit Qylybylit dhe Gentian Ibros. Nga numërimi i votave rezultoi fitues Qylybyli me 1083 vota, kundrejt 687 votave të Ibros. Zgjedhjet në degën e PD-së në Shkodër u zhvilluan në një klimë debatesh, mes të tjerash edhe për vendimin e përjashtimit të rreth 300 anëtarëve nga partia, çështje për të cilën kandidatët mbajtën qëndrime të ndryshme.
Procesi i zgjedhjeve në këto degë vjen pas zhvillimit të votimeve të ngjashme në disa struktura lokale të PD-së në vend, mes tyre në Durrës dhe Berat.