Një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh në fushën e sigurisë energjetike është nënshkruar në Tiranë në prani të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe ambasadores së Shteteve të bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle.
Marrëveshja u firmos mes kompanisë shqiptare Albgaz me dy kompanive të mëdha ndërkombëtare, njëra amerikane dhe tjetra greke.
Dokumenti parashikon zhvillim e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe marrëveshjen kornizë për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim me Greqinë.
Nënshkrimit të marrëveshjes i parapriu një postim në X të ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle.
“… në Tiranë për të avancuar agjendën energjetike të presidentit të SHBA dhe për t’iu bashkuar kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike midis Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA për një marrëveshje 20-vjeçare për gazin e lëngshëm natyror amerikan”, theksoi ambasadorja.
Ajo tha se angazhimi prej 6 miliardë dollarësh forcon sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare në të gjithë rajonin.
“Kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon është më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë”, tha ambasadorja Guilfoyle.
Marrëveshja synon ndërtimin e infrastrukturës në Vlorë për importin e gazit të lëngshëm nga SHBA-ja dhe rigazifikimin e tij për furnizimin e Evropës Jugore.
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Enea Kakaraçi, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes tha se partneriteti me SHBA-në reflekton një vizion të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme.
“Një shtyllë qendrore e këtij vizioni është zhvillimi i Qendrës Energjetike të Vlorës që është një komponent, një projekt shumë komponencial që do të ripërcaktojë rolin e Shqipërisë në këtë hartë energjetike”, tha ai.