Në nënvetëdijen tonë, ende si një buçimë e mbytur me zor nga trazirat e gati katër dekadave të fundit, jehon një thirrje tashmë e mbytur që i trandi shqiptarët e kapërcyellit të viteve ‘90: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa!”.
Për fat, Shqipëria është në udhën e saj të Integrimit Evropian dhe në muajt e fundit ka bërë demokracisë sonë nuk do ta bënte me hapjen e të gjithë kapitujve të Integrimit.
Në rrugën moderne të Shqipërisë, kjo është tejet inkurajuese dhe të huajt që merren me çështjet shqiptare mundohen ta evitojnë shpesh optimizmin e tepruar. Anipse, përballë vendoset padurimi ynë por mbi të gjitha zhgënjimi në konceptin e saj që tashmë njihet si stërmodernizëm, po të huazojmë termin që Francis Balle i vendos kësaj periudhe në librin e tij: “Përplasja e Fanatikëve” (përkthyer në shqip dhe botuar nga ‘Papirus’).
Në argumentin e tij, profesori i shkencave politike, tregon se tashmë në sfidat e globalizmit, kjo e fundit jo vetëm s’i ka bërë njerëzit më të lumtur, por kemi përballë një lloj barbarie që tashmë kujtohej se nuk do ekzistonte dot. Në rastin tonë, demokracia e viteve ’90 nuk e evitoi dot ’97-’98 e tmerrshëm dhe Skemat Piramidale që bekonte Berisha (!); nuk i ka shmangur dot mungesat e mëdha të ujit dhe infrastrukturës; batërdinë e vjedhjeve strukturore në vend; shpërdorimet pafre të shumë individëve; ky postmodernizëm nuk e ka demokratizuar politikën dhe tendencën për të shkuar në autokraci që sot e shikon realisht tek drejtuesi i Partisë Socialiste; nuk e ka emancipuar dot as opozitën, ku Berisha e përdor atë pjesë të mbetur të Partisë Demokratike vetëm për agjenda të ngushta e as nuk e ka individualizuar dhe ngritur zërin e popullit përmes të zgjedhurve, sepse deputetët që janë sot në këtë legjislaturë zgjidhen edhe nga populli, veçse sapo betohen në parlament zbatojnë si manekinë verdiktet Rama-Berisha; nuk e frenoi pushtetin lokal nga batërdia dhe mungesa e profesionalizmit…
Ligjëruesit politikë që na flasin sot sipas interesave të ngushta, si apostuj të kësaj kohe, mendojnë vetëm për fitimet e tyre afatshkurtër dhe maksimale. Mbrojtja e çështjes “Balluku” në ditët e fundit nga PS dhe çapitja e paqartë e Kushtetueses sonë shpesh e ndihmon këtë kaos që na ka kthyer në identifikimin e këtij paradoksi ironik edhe në vendin tonë. Atë që ëndërrruam, tashmë po na kthehet në një barrë të jashtëzakonshme, ku jo thjesht ndihemi të papërfaqësuar por edhe jemi gjithnjë pjesë e beftësirave të këtij pseudo moderniteti, servirur nga zyrtarët tanë. Këta të fundit, të paqartë për direktivat e BE-së dhe rrugën e zhvillimit të vendit, kanë bërë që reformat të mbesin dhe të kthehen në peshë sfilitëse.
Po kthehet në një barrë të paimagjinueshme vetë Drejtësia me morinë e dosjeve të mbartura dhe të shtuara jashtëzakonisht; shëndetësia me pazotësinë (por e modernizuar në dukje me ndërtesa të reja); është shkatërruar arsimi, fakt që ndikon mbi të gjitha në përgatitjen e elitave të vendit. Pasojë e kësaj është pamundësia të mund të shikosh një debat të elaboruar në nivele të larta sa i përket Drejtësisë, kërkimit shkencor apo mënyrës sesi mund të kanalizohet ekonomikisht.
Nëse do të përgatisje një material me premtimet dhe fjalët e Ramës dhe Berishës do të skandalizohej cilido që njeh kufijtë e mundësive ekonomike-sociale-humane shqiptare. Është kjo sjellje e strukturave amorfe që kanë ngritur në tri dekada njerëzit tanë të politikës, që shqiptarët vuajnë ende për pronën e tyre dhe i sorollatin disa burokratë pa identitet, thjesht ngaqë kanë një tesër në xhepat që duan vetëm të mbushen apo me konformizmin e turpshëm që të bëhen urë për këdo që i kërkon në favor të interesit.
Kjo lloj “ironie perverse” e modernitetit, është diskutuar shpesh në kritikat filozofike, sidomos për vende me receptorë të lartë zhvillimi, ku mes tyre një mendimtar i madh si Michel Foucault duke e parandjerë normal krizën e modernitetit, do i jepte një përkufizim dhe kjo kishte të bënte me forcat kryesore lëvizëse të epokës moderne: arsyeja, çlirimi, shkenca dhe progresi, që për fatin e hidhur rezultuan në të kundërtat e tyre të sakta: forma të reja të dominimit, tëhuajizim teknik dhe pasoja të paparashikuara shkatërruese në shumë fusha, citojmë Balle.
Ky është edhe paradoksi ynë më i madh sot, që shmangia nga Socializmit dogmatik, do të na bënte të mendonim se do kishim një liri më të madhe, por që tashmë ka rezultuar në makth. Ajo që është parë si revolucion i madh i administratës sonë me “Diellën” tashmë ka kohë që nuk përmendet prej dështimeve, ngaqë sistemet e ndryshme që lidhen me proceset kibernetike bllokohen rëndom. Nëse më parë kishim një Bllok që mbahej mbi vlera që u kalcifikuan, tashmë kemi një kastë që arrin të futet deri në ligjet në parlament dhe mbi të gjitha të diktojë pa iu dridhur qerpiku për politikat e vendit.
Dhe, sot gati… “40.5% e popullsisë mbetet në rrezik varfërie ose përjashtimi social – gati dy herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Për më tepër, mungesa e një standardi zyrtar minimal jetese e bën të vështirë matjen reale të efektit të ndihmës ekonomike dhe të politikave të transferimit financiar” (Monitor, 2026), nxirret nga një raport i fundit i PNUD. “Shpenzimet për mbrojtjen sociale në Shqipëri mbeten rreth 9.5–9.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nivel që konsiderohet ndër më të ulëtit në Europë. Mesatarja e BE-së arrin në rreth 27% të PBB-së” (Monitor, 2026), përmendet po aty.
…Antropologu francez Marc Auge e vendosi si koncept “Ironia perverse” e supermodernitetit, në një libër të titulluar “Jo-Vendet: Hyrje në një Antropologji të Supermodernitetit” (1995), ku paradoksi shtrihet ndaj hapësirave bashkëkohore – siç janë aeroportet, autostradat, zinxhirët e hoteleve dhe qendrat tregtare, të cilat janë të projektuara për lidhje njerëzore kalimtare dhe anonime, por që në fakt prodhojnë vetëm përvoja izoluese dhe uniforme. Ne vërtetë i kemi tashmë shumë të tilla syresh (edhe këtu ka vend për diskutim), por me to mendonim se do të ecnim dhe do ta bënim Shqipërinë si gjithë Evropa, ndërsa për fat të keq jemi gjithmonë në një zhgënjim që nuk ndahet dhe na vetmon dhe kjo mbase është pjesa dalluese e antropologjisë tonë në katër dekadat e fundit. Po a është vallë një sëmundje moderniteti apo normaliteti ynë që të mbetemi tek të fundit?! (Homo Albanicus)