Ministria e Punëve të Brendshme sot ka organizuar një takim me Organizatat Joqeveritare në Mitrovicë të Veriut, për të diskutuar rreth Ligjit për Automjete dhe atij për të Huaj.
Në këtë takim, Shefja e Kabinetit të ministrit Xhelal Sveçla, Jeta Tela, ka thënë se qëllimi i këtij takimi është informimi i drejtpërdrejtë i OJQ-ve, përfshirë edhe atyre që përfaqësojnë komunitetin jo-shumicë.
Tela në këtë takim ka thënë se këto nuk janë ligje të reja, pasi Ligji për të Huaj është në fuqi që nga viti 2013, ndërsa Ligji për Automjete që nga viti 2017.
“Megjithatë, institucionet janë duke zhvilluar këtë fushatë me qëllim që qytetarët, vizitorët e huaj dhe të huajt që hyjnë në Kosovë të kenë informacionet e duhura për të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore”, ka thënë ajo.
“Në vazhdën e përmirësimit të shërbimeve dhe ofrimit të tyre sa më afër qytetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka punuar njëkohësisht edhe në decentralizimin e shërbimeve. Pra, tash përveç në Prishtinë, do të ofrohet mundësia për aplikim për leje qëndrimi edhe në tri rajone të tjera: në Mitrovicën e Veriut, Gjilan dhe Prizren, në mënyrë që të gjithë ata që preken nga Ligji për të Huaj, përfshirë edhe komunat e pjesës veriore, të kenë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në këto shërbime.”, ka shtuar Tela.
Në komunikatë, Ministria e Punëve të Brendshme, ka shprehur zhgënjimin e saj pasi disa organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb kanë zgjedhur të bojkotojnë këtë takim “duke mos shfrytëzuar mundësinë që kanë pasur për të kontribuar në informimin e komuniteteve që përfaqësojnë apo të të huajve që qëndrojnë në komunat e tyre, si dhe të marrin pjesë në diskutime rreth këtyre ligjeve”.
MPB në fund ka bërë thirrje tek qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave dhe për çdo informacion të saktë të ndjekin kanalet zyrtare të MPB-së dhe Policisë së Kosovës.

Reisebüro Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga 12 qershori, do të ofrojë fluturime direkte dy herë...