Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë njoftuar për tërheqjen parandaluese nga tregu të disa paketime të formulës për foshnje Aptamil 1 (830 g) dhe Aptamil 2 (830 g), pas një alarmi të marrë përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).
Sipas autoriteteve, njoftimi lidhet me praninë e toksinës cereulide në formulën për foshnje të prodhuar nga kompania Nutricia Cuijk B.V. në Holandë, ku analizat laboratorike në vendet e Bashkimi Evropian kanë treguar se disa lote tejkalojnë kufijtë e lejuar për këtë kategori ushqimore.
AUV ka bërë të ditur se në Kosovë janë identifikuar vetëm sasi shumë të kufizuara të këtyre produkteve, të importuara më 19 janar 2026 nga një operator ekonomik i autorizuar.
‘’Menjëherë pas pranimit të njoftimit përmes sistemit RASFF, AUV ka ndërmarrë kontrolle zyrtare në terren. Inspektimi është realizuar më datë 09.03.2026, me ç’rast është urdhëruar tërheqja nga tregu e produkteve në fjalë. Nga kontrollet e kryera nga inspektorët është konstatuar se produktet nuk ndodhen në shitje në treg, por janë të bllokuara në depo. Produktet aktualisht janë në procedurë të asgjësimit, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore’’, thuhet mes tjerash në njoftim
Komunikata:
Prishtinë, 12.03.2026
Tërheqje parandaluese nga tregu e produkteve APTAMIL 1 (830 g) dhe APTAMIL 2 (830 g)
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftojnë opinionin publik se, përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), është pranuar një njoftim me nr. 2026.1018 kategorisë “Alert notification” lidhur me praninë e toksinës cereulide në formulë (qumësht) për foshnje të prodhuar nga kompania Nutricia Cuijk B.V., Holandë.
Njoftimi është shpërndarë nga autoritetet kompetente të Bashkimit Evropian përmes sistemit RASFF për të gjitha vendet në të cilat produkti është distribuuar, përfshirë edhe Republikën e Kosovës. Bazuar në rezultatet e analizave laboratorike të kryera nga autoritetet kompetente në Bashkimin Evropian, është konstatuar se disa lote të formulës për foshnje të markës APTAMIL tejkalojnë kufijtë e lejuar të toksinës cereulide për këtë kategori ushqimore. Për këtë arsye është ndërmarrë masa e tërheqjes parandaluese nga tregu për produktet përkatëse.
Në kuadër të kontrollit zyrtar të importit dhe verifikimit të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka identifikuar se në tregun e Republikës së Kosovës janë importuar sasi shumë të kufizuara të produkteve të përfshira në këtë njoftim. Produktet janë importuar më datë 19.01.2026 nga një operator ekonomik i autorizuar dhe janë evidentuar përmes dokumentacionit përkatës dhe kontrolleve zyrtare në pikën kufitare.
Produktet e identifikuara janë si në vijim:
APTAMIL 1 – 830 g
Lot: 111488577 – Data e skadimit: 01.09.2026
Lot: 111516238 – Data e skadimit: 17.11.2026
Sasia e identifikuar: rreth 5 paketime (3.94 kg bruto)
APTAMIL 2 – 830 g
Lot: 111463178 – Data e skadimit: 04.07.2026
Lot: 111475576 – Data e skadimit: 30.07.2026
Sasia e identifikuar: rreth 9–10 paketime (7.89 kg bruto)
Menjëherë pas pranimit të njoftimit përmes sistemit RASFF, AUV ka ndërmarrë kontrolle zyrtare në terren. Inspektimi është realizuar më datë 09.03.2026, me ç’rast është urdhëruar tërheqja nga tregu e produkteve në fjalë. Nga kontrollet e kryera nga inspektorët është konstatuar se produktet nuk ndodhen në shitje në treg, por janë të bllokuara në depo. Produktet aktualisht janë në procedurë të asgjësimit, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore.
Bazuar në verifikimet e kryera deri më tani, nuk është konstatuar që këto produkte të kenë qenë në qarkullim në treg apo të jenë shitur tek konsumatorët. Si rezultat, rreziku për konsumatorët në Republikën e Kosovës konsiderohet shumë i ulët, ndërkohë që autoritetet kompetente vazhdojnë monitorimin e situatës në përputhje me procedurat e sigurisë ushqimore. Deri më tani nuk është pranuar asnjë raportim apo ankesë nga konsumatorët lidhur me këtë produkt.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbeten të përkushtuara në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve
Reisebüro Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga 12 qershori, do të ofrojë fluturime direkte dy herë...