Hungaria, Sllovakia dhe Serbia zgjodhën Teheranin në vend të Trumpit - Gazeta Express
string(67) "hungaria-sllovakia-dhe-serbia-zgjodhen-teheranin-ne-vend-te-trumpit"

OP/ED

Gazeta Express

11/03/2026 20:16

Hungaria, Sllovakia dhe Serbia zgjodhën Teheranin në vend të Trumpit

OP/ED

Gazeta Express

11/03/2026 20:16

Udhëheqësit e Sllovakisë, Hungarisë dhe Serbisë kanë theksuar prej kohësh besnikërinë e tyre ndaj presidentit Donald Trump, duke kërkuar mbështetjen e krahut konservator në Uashington. Por kur Trump nisi luftën e tij me Iranin, maska ra.

Shkruan: Ivana Stradner

Trump e ka mbështetur kryeministrin Viktor Orban deri në fund, ndërsa lideri i fortë hungarez përpiqet të qëndrojë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Por kjo nuk e ndaloi Orbanin që shpejt të ngrinte shqetësime për luftën e Trumpit. Brenda pak orësh, ai ngriti nivelin e kërcënimit terrorist në Hungari, duke paralajmëruar se një konflikt i zgjatur në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë valë të reja migrimi nga Irani përmes Turqisë dhe Ballkanit. “Hungaria duhet të përgatitet dhe të sigurohet që diga të qëndrojë”, theksoi Orban.

Orban gjithashtu u ankua për ndikimin e konfliktit në sigurinë energjetike të Hungarisë, pavarësisht faktit se Trumpi e kishte përjashtuar Orbanin nga sanksionet në mënyrë që Hungaria të mund të vazhdonte të blinte naftë ruse. Sulmet e ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, vuri në dukje ai, i shtojnë një “rrezik të dyfishtë” një sektori energjetik tashmë të tendosur, duke ndalur rrjedhën e naftës nga Irani dhe furnizimet me LNG nga Katari ndërsa çmimet rriten. Lideri hungarez e diskutoi këtë më tej në një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, i cili e falënderoi për politikën e tij të jashtme “parimore” dhe “sovrane”.

Para luftës, Hungaria kishte mbajtur marrëdhënie miqësore me Iranin, me zyrtarë nga të dy vendet që i përshkruanin lidhjet e tyre diplomatike si në “rrugën e duhur”. Bashkëpunimi ekonomik përbën një shtyllë kyçe të kësaj marrëdhënieje. Dy vendet mbajnë takime të Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe, në vitin 2024, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që synon lehtësimin e tregtisë dhe investimeve. Edhe lidhjet kulturore dhe akademike po zgjerohen. Në vitin 2025, vendet nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim arsimor që mbulon shkencën, teknologjinë, mjekësinë dhe bujqësinë.

Duke kaluar te Sllovakia, kryeministri Robert Fico ishte më i ashpër në kritikat e tij. “Të mëdhenjtë dhe të fuqishmit bëjnë çfarë të duan”, u ankua lideri sllovak, duke paralajmëruar se rendi botëror është në “shpërbërje totale”. Pasi Irani iu kundërpërgjigj sulmit të ShBA-së dhe Izraelit duke lëshuar raketa dhe dronë drejt vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, Fico e arsyetoi reagimin iranian si “të natyrshëm”. Kjo pavarësisht faktit se para luftës, në shkurt, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio u takua me Ficon dhe u zotua të “përmirësoj partneritetin tonë të fortë me Sllovakinë”.

Ashtu si Hungaria, edhe Sllovakia ka ndjekur marrëdhënie ekonomike me Iranin, përfshirë në energji, mjekësi dhe bujqësi. Në vitin 2025, zëvendësministrat e jashtëm iranianë dhe sllovakë zhvilluan bisedime në Bratislavë, duke mbuluar bashkëpunimin në fushat politike, ekonomike, kulturore, akademike dhe konsullore. Dhoma e Tregtisë e Iranit propozoi krijimin e një komiteti të përbashkët tregtar me Sllovakinë për të thelluar bashkëpunimin ekonomik.

Së fundi, Serbia dallohet si partneri më i afërt evropian i Teheranit. Para luftës, Rubio u takua me presidentin serb Alleksandar Vuçiq për të forcuar partneritetin përmes një dialogu strategjik. Gjithashtu, Departamenti i Thesarit i ShBA-së zgjati një përjashtim nga sanksionet për Industrinë e Naftës të Serbisë, ku “Gazprom” dhe “Gazprom Neft” e Rusisë zotërojnë më shumë se gjysmën e aksioneve, duke i lejuar vendit ballkanik të vazhdojë importin e naftës bruto. Shtetet e Bashkuara fillimisht vendosën sanksione si pjesë e masave më të gjera që synonin sektorin energjetik rus në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Por kur Trump nisi operacionin e tij kundër Iranit, as Vuçiqi nuk i dha mbështetje Uashingtonit. Në vend të kësaj, ai u ankua për fundin e “së drejtës ndërkombëtare”. Më pas, Vuçiqi i krahasoi sulmet e ShBA-së ndaj Iranit me ndërhyrjen e NATO-s kundër Jugosllavisë, një operacion që ai pretendoi se nuk kishte për qëllim realisht ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës nga presidenti serb Sllobodan Millosheviq, por më tepër “ndryshimin e regjimit”.

Beogradi ka shprehur vazhdimisht mirënjohje për qëndrimin e Iranit për Kosovën, një çështje thelbësore e politikës së jashtme për Serbinë, pasi Teherani vazhdon të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në vitin 2025, ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Iranit zhvilluan konsultime politike dypalëshe për të thelluar bashkëpunimin. Po atë vit, Serbia dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për sigurinë e informacionit dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke treguar se partneriteti i tyre po evoluon përtej diplomacisë tradicionale edhe në fusha të sigurisë.

Për vite me radhë, këta aleatë të vetëshpallur të Trumpit janë përpjekur të afrohen me presidentin kur u ka leverdisur. Por kur situata bëhet e vështirë, dalin në pah ngjyrat e tyre të vërteta dhe besnikëria e tyre zbehet.

Trump do të bënte mirë ta mbante mend këtë herën tjetër kur ata t’i kërkojnë një favor.

Dr. Ivana Stradner është hulumtuese në Qendrën Barish për Integritet në Media në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracive (FDD).

Shkrimi i publikuar në FDD është përkthyer nga Klankosova.tv  

Advertisement
Advertisement
Advertisement