Irani po kundërpërgjigjet me luftime, por jo më fuqishëm se që ka pritur ushtria amerikane para luftës, tha të martën para gazetarëve komandanti i saj, kur Pentagoni e paralajmëroi ditën më intensive të sulmeve në konfliktin 10-ditor.
Përderisa Rojat Revolucionare po kërcënon se do t’i bllokojë dërgesat me naftë nga Gjiri Persik, Pentagoi i përtëriu kërcënimet se do ta godasë Iranin, nëse dërgesat nuk rrjedhin nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe tha se do t’i godasë anijet iraniane që vendosin mina ujore si dhe objektet për ruajtjen e këtyre minave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Sot do të jetë dita jonë më intensive e sulmeve brenda Iranit: më së shumti luftëtarë, më së shumti bombardues, më së shumti sulme, inteligjencë më e zgjedhur dhe më e mirë se kurrë më parë” – tha sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth.
Kur u pyet nëse Irani është armik më i fortë se që kishte pritur ai, kur ushtria amerikane i kishte hartuar planet e veta të luftës, gjenerali Dan Caine, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, tha para gazetarëve se luftimet nuk janë më të vështira se që janë pritur.
“Mendoj se ata po luftojnë dhe unë e respektoj këtë, por nuk mendoj se janë më të frikshëm se që kemi menduar” – tha Caine në një konferencë për gazetarë në Pentagon.
Presidenti amerikan tha javën e kaluar se Shtetet e bashkuara do t’u ofronin mbrojtje anijeve transportuese të naftës që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, Pentagoni ende nuk ka njoftuar ndonjë plan për këtë masë, përderisa luftimet po vazhdojnë.
Caine tha se ushtria amerikane ka filluar që t’i shqyrtojë mënyrat për përcjelljen e mundshme të anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, në rast se urdhërohet për një gjë të tillë.
Rrjeti i pikave të Shell në Kosovë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, pas kalimit në pronësi...