Partia e Gjelbër fitoi zgjedhjet shtetërore në Baden-Württemberg më 8 mars 2026, me 30.2 përqind të votave. Me këtë rezultat, partia, e udhëhequr nga kandidati kryesor Cem Özdemir, (i lindur në Gjermani, nga prindër turq) ka mundur, ndonëse ngushtë, CDU-në, e cila mori 29.7 për qind.
Kështu, të Gjelbrit do të mbajnë 56 vende në parlamentin e ri të shtetit – saktësisht të njëjtin numër si CDU.
Me këtë fitore zgjedhore, Cem Özdemir ka deklaruar qëllimin e tij për t’u bërë kryeministër i ri i Baden-Württembergut dhe kështu të pasojë Winfried Kretschmann-in, po ashtu nga Partia e Gjelbër, i cili e ka mbajtur për tre mandate këtë post.
Dhe, te zgjedhja fare realiste e Özdemirit për kryeministër fillon “rrëfimi rozë”, me interes edhe për publikun shqiptar, shkruan albinfo.ch.
Ja përse: “Zonja e parë” e republikës pritet të jetë një shqiptare!
Gruaja në krah të kryeministrit të pritshëm, bashkëshortja me të cilën Özdemir është kurorëzuar vetëm pak javë më parë, është shqiptarja nga Kanadaja me emrin Flavia Zaka. Ajo punon si avokate dhe është specializuar në çështjet mjedisore dhe të drejtat e njeriut.
Dasma e çiftit “të ri” fillimisht e mbajtur sekret për arsye sigurie, u zhvillua në bashkinë e Tübingen-it dy javë para zgjedhjeve shtetërore në Baden-Württemberg dhe menjëherë e nxori atë në qendër të vëmendjes: Fotot e dhëndrit, Cem Özdemir, dhe nuses, e cila mbante një buqetë me trëndafila, ishin thjesht, tepër të bukura për t’u injoruar, shkruan morgenpost.de.
Por 40-vjeçarja dhe partneri i saj, 20 vjet më i moçëm se ajo, ishin gjithashtu në qendër të vëmendjes së fotografëve në ballon e shtypit shtetëror në Stuttgart në nëntor – dhe ajo u pa duke kërcyer me Özdemir-in.
Flavia Zaka është shtetase kanadeze dhe mund të bëhet Zonja e Parë e Baden-Württemberg pas fitores zgjedhore të Özdemirit, tranmseton albinfo.ch. Se si do ta formësonte një rol të tillë mbetet për t’u parë: Ajo refuzoi të komentonte publikisht para zgjedhjeve nëse do të merrte përsipër patronazhe apo do të angazhohej në kauza sociale.
Dasma u zhvillua në bashkinë e Tübingenit dy javë para zgjedhjeve shtetërore. Ajo dha vetëm një intervistë të detajuar për gazetën “Südkurier” nga Konstanz, ku përshkroi historinë e jetës dhe interesat e saj. Flavia Zaka vjen nga Shqipëria; në moshën dymbëdhjetë vjeç, ajo emigroi në Kanada me prindërit dhe motrën e saj. Zhvendosja e saj përfundimtare në Baden-Württemberg për të qenë me Cem Özdemirin ishte rastësi e pastër.
Dhe kjo ndodhi përmes një sërë ngjarjesh të papritura. Gjatë një viti jashtë vendit në vitin 2008 në Konstanz në Liqenin e Konstancës, ajo takoi një mike të re ndërsa studionte drejtësi dhe shkenca politike. Më vonë, në vitin 2023, kur ajo tashmë punonte si avokate e mjedisit dhe të drejtave të njeriut në Toronto, kjo mike e ftoi në një festë ditëlindjeje në Stuttgart. Cem Özdemir ishte gjithashtu i ftuar.
Dhe atëherë ndizet shkëndija. “E njoh Stuttgartin më gjatë sesa e njoh Cem-in. Por këtu u takuam”, tha Flavia Zaka për gazetën “Südkurier” në një gjermanishte të rrjedhshme. Vetëm herë pas here ajo e kthen bisedën në anglisht kur u përgjigjet pyetjeve.
Largimi nga Kanadaja, puna e saj, nga familja e saj dhe qenushi i saj i dashur nuk ishte i lehtë…
Mundësitë e koalicionit: Një vazhdim i koalicionit ekzistues midis të Gjelbërve dhe CDU-së (këtë herë nën udhëheqjen e Partisë së Gjelbër nga Özdemir) konsiderohet si opsioni më i mundshëm sipas rezultateve paraprake përfundimtare./Albinfo.ch