Policia kantonale në Cyrih ka ndaluar një nxënës të shkollës së mesme pasi ai dyshohet se ka drejtuar një automjet pa poseduar patentë shoferi. Rasti është zbuluar gjatë një kontrolli rutinë të trafikut në një nga rrugët e qytetit raporton Blick.
I riu, i identifikuar vetëm me inicialet I.D., është student në një shkollë private në kantonin St. Gallen dhe me origjinë nga Kosova. Sipas informacioneve paraprake, ai vjen nga një familje e njohur biznesi në Kosovë dhe ndodhej në Cyrih kur u ndalua nga policia.
Gjatë kontrollit policor është konstatuar se ai nuk posedonte patentë shoferi të vlefshme dhe ishte nën moshen e lejuar për vozitje.
Çfarë parashikon ligji zviceran
Sipas Ligjit Federal për Qarkullimin Rrugor të Zvicrës (Strassenverkehrsgesetz – SVG), drejtimi i automjetit pa patentë shoferi konsiderohet shkelje serioze e rregullave të trafikut.
Pasojat mund të përfshijnë: gjobë financiare ose dënim me gjobë ditore, procedurë penale nga prokuroria, ndalim për të marrë patentë për një periudhë të caktuar, në raste më të rënda, edhe dënim me kusht ose burgim.
Autoritetet zvicerane njihen për zbatim strikt të ligjit në trafik dhe raste të tilla trajtohen me seriozitet të lartë.
Mund të shqyrtohet edhe statusi i qëndrimit
Pasi bëhet fjalë për një shtetas të huaj, rasti mund të shqyrtohet edhe nga autoritetet kantonale të migracionit. Në varësi të rrethanave, shkeljet penale mund të ndikojnë në statusin e qëndrimit.
Në praktikë, mund të vendosen masa si: paralajmërim administrativ, rishikim i lejes së qëndrimit, ose në raste të caktuara edhe procedurë për dëbim nga vendi.
Vendimi pritet nga autoritetet lokale
Burime nga institucionet lokale bëjnë të ditur se këshilli i qytetit dhe autoritetet përkatëse do të shqyrtojnë rrethanat e plota të rastit, përfshirë faktin nëse bëhet fjalë për shkelje të parë dhe statusin e tij si student.
Pas këtij vlerësimi do të vendoset nëse do të ndërmerren masa shtesë administrative ndaj të riut.Hetimet për rastin janë në vazhdim.