‘‘Do ta bëjmë, por ta dish, për shkakun tënd’” . Kështu ka deklaruar ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, t’i është thënë atij nga kryeministri Albin Kurti, për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Vendimi i qeverisë së Kurtit, përveç se kishte ngjallur reagime në kohën kur ishte marrë, krijoi reagime edhe pas kësaj deklarate, shkruan Gazeta Express.
Reagimet erdhën pasi që vendimi i Kurtit për t’i transferuar 24 hektarët, u pa si ‘’favor personal’’ ndaj Rashiqit.
Të paktën kështu vlerësoi Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
‘‘Çështje kaq të ndjeshme, që lidhen me territorin dhe pronën në Republikën e Kosovës, nuk mund të trajtohen si favore personale mes politikanësh. Vendimet e tilla duhet të merren vetëm mbi bazën e ligjit, transparencës dhe interesit shtetëror’’, shkroi Selmanaj.
Në rrafshin e ‘’favorit personal’’ këtë çështje e pa edhe këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Meliza Haradinaj.
‘’Dhe ndërkohë që publikut i servohen slogane patriotike çdo ditë, realiteti del nga goja e vetë ministrave serbë të Qeverisë. Deklarata e ministrit Nenad Rashiq për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit është tronditëse: sipas tij, vendimi u bë “për hatër të tij”. Pra, toka e Kosovës – një çështje që prek sovranitetin, precedentët juridikë dhe barazinë para ligjit – rezulton të trajtohet si favor personal mes kryeministrit dhe ministrave të tij’’, ka shkruar ajo në reagimin e saj.
‘‘Për hatër’’ të tjetrit vendimin e kritikoi edhe Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës. Hoxhaj tha se kjo qasje ‘’tregon thelbin e një politike me logjikë feudale’’.
Nenad Rashiq tha publikisht se Albin Kurti, për hatër të tij, ia ka transferuar tokën Manastirit të Deçanit. Një deklaratë e tillë tregon thelbin e një politike me logjikë feudale, ku territori i shtetit trajtohet si pronë për t’u dhënë “për hatër”, shkroi Hoxhaj.
‘‘Shumë të ulët’’ e ka vlerësuar këtë rast edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
‘’Kjo që ndodhi dje, dhe që e dëgjova prej ministrit Rashiq me thënë të drejtën, për fat të keq po kallëzon fëmija ça ka shtëpia, kjo është shtëpia që na ka udhëheq, pra është e ulët shumë e ulët’’, ka thënë Haradinaj për Frontal në T7.
Deklarimet e Qeverisë
Reagime për deklaratën e Rashiq erdhën edhe nga vetë ekzekutivi. Zëdhënësi i qeverisë, Arlind Manxhuka, në reagimin e tij mohoi se vendimi i Qeverisë është bërë për ‘’shkak’’ të Rashiqit, porse, i njëjti, siç ka shkruar Manxhuka, është bërë ‘’në dritën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër’’.
‘’Në prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me një votim të fuqishëm prej 82%, me ç’rast 131 ishin në favor dhe 29 kundër, i rekomandoi Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e plotë e organizatës. Zbatimin e aktgjykimit, tashmë të marrë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka bërë vetëm në dritën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër’’, ka shkruar Manxhuka.
Deklarim të shkurtër ka pasur edhe kryeministri Albin Kurti, veçse ky i fundit, ka thënë se për këtë çështje ka folur zëdhënësi Manxhuka.
‘‘Ka folur tashmë zëdhënësi im Arlindi dhe po ashtu e ka sqaruar edhe ministri”,, ka thënë ai.
Pas kësaj vale reagimesh, deklarim ‘’sqarues’’ ka pasur edhe vetë Rashiqi. I ftuar në Kosova Live, ai ka thënë se kjo çështje i ishte ‘’ngatërruar një fjalë me një tjetër’’.
“Pasi konfirmova atë që bëra, atë që dëgjova, pastaj… e konfirmova atë që thashë, i thashë kryeministrit se ndoshta është bërë një gabim… E kam ngatërruar një fjalë me një tjetër”, tha Rashiq, ndërsa bisedën e mbrëmshme me Kurtin e quajti komunikim normal. Por duhet ta kuptosh se ndonjëherë ndodhin gjëra të çuditshme edhe me trurin, një koncept fiksohet në kokën tënde dhe kur vjen koha pas tre vitesh për të treguar saktësisht se çfarë ka ndodhur në atë moment, nuk është tamam e vështirë të marrësh çdo element dhe çdo detaj të vogël të të gjitha këtyre proceseve siç duhet çdo herë. Në veçanti, këto tre vitet e fundit që unë i konsideroj si të tilla kemi punuar me një intensitet të lartë. Pra, këto gjëra ndodhin”, tha Rashiq dje në T7.
Ndryshe, vendimi i Qeverisë Kurti për transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, është marrë dy vite më parë. Edhe asaj kohe, vendimi i qeverisë Kurti ishte kundërshtuar nga partitë politike, duke kritikuar vetë Kurtin. /GazetaExpress