“Me vetëdije të plotë”, pas katër muajsh Osmani e pranon që i bëri favor Kurtit duke i caktuar zgjedhjet me 28 dhjetor - Gazeta Express
string(115) "me-vetedije-te-plote-pas-kater-muajsh-osmani-e-pranon-qe-i-beri-favor-kurtit-duke-i-caktuar-zgjedhjet-me-28-dhjetor"

Lajme

Gazeta Express

10/03/2026 15:15

“Me vetëdije të plotë”, pas katër muajsh Osmani e pranon që i bëri favor Kurtit duke i caktuar zgjedhjet me 28 dhjetor

Lajme

Gazeta Express

10/03/2026 15:15

Akuza kryesore e partive opozitare për Vjosa Osmanin ka qenë se ajo si presidente në vazhdimësi ka mbajtur anën e kryeministrit dhe kreut të LVV-së, Albin Kurti. Ky qëndrim opozitar ishte përforcuar edhe më shumë kur Osmani kishte vendosur të caktonte datën 28 dhjetor 2025, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi Kuvendi i Kosovës kishte dështuar të zgjidhte për herë të dytë radhazi kryeministrin. Kur ishte pyetur se a e ka bërë me vetëdije të plotë, Osmani ishte ndier e ofenduar. Pas pesë muajsh e ka pranuar se kjo datë ishte favor për Kurtin, shkruan Express.

Caktimi i kësaj date kur Osmani kishte dalë para mediave më 20 nëntor  ishte komentuar jashtëzakonisht shumë, meqë konsiderohej se Osmani po i bënte favor Kurtit.

Përkundër këtyre akuzave, Osmani në një konferencë për media ishte munduar të arsyetonte veten se pse kishte marrë vendim për 28 dhjetorin. Siç deklaronte ajo atëherë, shumica e partive kanë qenë për një datë të tillë.

“Data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar që është data e vetme e mundshme, sado që kjo datë paraqet deri diku sfida”, kishte thënë Osmani.

Për Osmanin, caktimin e kësaj date e kishte bërë duke qenë se ishte afati më i gjatë, e i cili do t’i mundësonte KQZ-së të eliminojë disa prej sfidave në organizimin e zgjedhjeve.

“Tetë parti sot janë deklaruara për datën 28 dhjetor, 5 parti për datën 21 dhjetor, derisa 3 parti kanë thënë se cilado datë është në rregull. Si presidente e kam për të detyrë që të japë afatin më të gjatë e jo më të shkurt, në mënyrë që të kemi mundësi të eliminojmë disa prej sfidave të organizimit të shpejt të zgjedhjeve”, kishte shtuar Osmani.

Përveç kësaj, gjatë pyetjeve në këtë konferencë, Osmani ishte acaruar kur një prej gazetarëve e kishte pyetur nëse e ka marrë këtë vendim për datën 28 dhjetor me vetëdije.

Osmani në konferencë kishte thënë se i siguron qytetarët se një vendim të tillë e ka marrë me vetëdije të plotë.

“E para, unë besoj se kjo është një pyetje ofenduese, të cilën besoj se kurrë një burri nuk do t’ia kishe bërë, sepse ti kurrë një burri nuk i thua po vepron pa vetëdije. Një pyetje të tillë ia bëni vetëm një gruaje. Dua t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, që asnjë vendim përgjatë gjithë karrierës sime politike nuk e marrë pa vetëdije, pra e kam marrë me vetëdije të plotë, me besim të plotë që ky vendim është vetëm e vetëm në interes të Republikës së Kosovës, e para”, kishte thënë Osmani.

Në konferencë, Osmani kishte prekur edhe çështjen e mërgatës dhe diskutimin që bëhej atëherë në Kosovë se data do t’ua mundësojë atyre të vijnë në Kosovë për të votuar, meqë Lëvizja Vetëvendosje pretendonte se partitë opozitare po e kundërshtojnë pikërisht për të mos ua mundësuar mërgatës të votojnë.

Osmani atë kohë kishte dhënë një ndihmë një narrative të tillë të partisë së Kurtit, duke thënë se mërgatën duhet t’i duam edhe kur vijnë për të votuar e jo vetëm kur dërgojnë para e kur investojnë në Kosovë

“E dyta, të gjitha partitë kanë thënë se nuk janë kundër mërgimtarëve, nuk janë kundër mërgatës. Pra pse ju po paragjykoni se mërgata është vetëm në favor të një partie. Dhe e fundit, këto janë zgjedhje të reja. Partitë kanë deklaruar se nuk janë kundër mërgatës dhe siç e thashë, si presidente kam një detyrim që të zgjedh një datë kur kemi pjesëmarrje më të madhe e jo pjesëmarrje më të vogël të qytetarëve me të drejtë vote. Dhe sipas ligjit që e kanë miratuar po këto parti politike, mërgata ka të drejtë të barabartë me votë me të gjithë qytetarët që jetojnë çdo ditë në Kosovë. Kjo është e drejtë e garantuar me ligj, të cilën ua kanë dhënë të gjitha partitë shqiptare pa dallim. Pra ata kanë të drejtë të votojnë dhe në qoftë se kanë të drejtë të votojnë e janë në Kosovë në atë datë, janë më se të mirëseardhur. Se kur mërgata po investojnë në Kosovë, kur po dërgojnë remitanca në vlerë të buxhetit të Republikës së Kosovës, kur po investojnë në biznese që po krijojnë vende të punës të gjithë po i duam, rrjedhimisht duhet t’i duam edhe kur vijnë t’i vizitojnë familjet, edhe datën e zgjedhjeve. Unë jam presidente edhe e tyre dhe do ta mbroj të drejtën e tyre deri sa të jem në politikë pavarësisht në çfarë pozicioni jam në politikë. Por ju siguroj se vendimet janë me vetëdije, asnjëherë pa vetëdije”, kishte thënë Osmani.

Derisa vetë Kurti e kishte mirëpritur vendimin e Osmanit për caktimin e 28 dhjetorit si datë për zgjedhje, duke e konsideruar si datën më të përshtatshme.

“Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin”, kishte shkruar Kurti pas caktimit të datës.

Rreth 4 muaj pas, vetë presidentja Vjosa Osmani në një intervistë të dhënë të hënën në Syri Tv ka konfirmuar se akuzat e opozitës drejt saj për caktimin e datës së zgjedhjeve qëndronin.

Osmani në këtë intervistë, duke folur për akuzat drejt saj që po bëhen nga kampi i Albin Kurtit pas prishjes për punën e presidentit, ka pyetur nëse kishte bërë puç kur ia kishte dhënë Vetëvendosjes 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve.

“Ka akuza që unë dhe presidenti Begaj kemi lobuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ai takim ka qenë në shtator ku ne jemi ftuar në emër të sekretarit të Thesarit, të përfaqësuesit të Trump për misione speciale dhe ka qenë një person i tretë që udhëheq Bankën për Eksporte dhe Importe, e gjithë Evropa Juglindore ka qenë aty, kemi diskutuar edhe me Kroacinë dhe kemi thënë që nëse mungojmë mund të keqkuptohemi. Në tokë Amerikane ta refuzosh pjesëmarrjen është absurde”, ka thënë ajo.

Osmani duke folur për takimin në SHBA, ka thënë se ai ka ndodhur në muajin shtator dhe ka numëruar disa prej vendimeve të saj që i konsdieron si të marra në favor të Qeverisë Kurti.

 “A ia paskam organizuar unë puçin z. Kurti duke ia dhënë datën 28 dhjetor a, duke ia hequr masat Kosovës, duke i sjellë njohje Kosovës ia paskam organizuar puçin, duke i vizituar komuna te Kosovës që drejtohen nga LVV ia paskam organizuar puçin, duke pritur diasporën ia paskam organizuar puçin. Nëse të gjitha këto konsiderohen puç, po rikthehem te ajo që e thash më herët, kur aleatja më e fuqishme e tyre trajtohet kështu, llogaritni të tjerët. Është për keqardhje dhe secili prej nesh do të duhej t’i mbronte institucionet e jo të bëhet thirrje për pushkatim të presidentes të bazuar në gënjeshtra të pastra”, ka deklaruar Osmani./Express/

Advertisement
Advertisement
Advertisement