Shkruan Enver Hasani
Për këtë arsye, “shpërndarja” më 5 mars i shërbeu interesave të Kurtit, duke i ofruar argumente për të avancuar rrënimin e rendit kushtetues përmes rrugëve kuazikushtetuese. Dekreti jokushtetues i presidentes krijoi terren për retorikën dhe praktikën populiste të Kurtit, me synimin e kapjes së institucioneve qendrore.
Dimensioni teorik: populizmi dhe autokracitë personaliste
Në analizën e retorikës dhe sjelljes politike, duket një ngjashmëri e trishtë mes disa fjalimeve të ish-diktatorit serb Sllobodan Millosheviq, të dokumentuara në librin Godine raspleta, dhe retorikës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në disa aspekte, kjo retorikë kujton edhe diskursin e Benito Musolinit, italianit të fillimshekullit XX, i cili kishte rrënjë në traditën socialiste. Thelbi i kësaj logjike është ideja se “institucionalisht ose jo, me rëndësi është që popullit t’i pëlqejë”, duke reduktuar shpesh perceptimin e “popullit” në vullnetin e liderit.
Këto forma qeverisjeje përshkruhen në literaturën bashkëkohore si politika personaliste. Sipas Levitsky dhe Ziblatt në How Democracies Die, demokracitë moderne rrallë rrëzohen përmes grushteve të shtetit; ato gërryhen gradualisht nga liderë populistë të zgjedhur, të cilët dobësojnë institucionet, delegjitimojnë opozitën dhe ndryshojnë rregullat për të ruajtur pushtetin. Jan-Werner Müller në What Is Populism? thekson se thelbi i këtij “manuali populist” është pretendimi se vetëm ata përfaqësojnë “popullin e vërtetë”, duke justifikuar kështu përjashtimin e kundërshtarëve dhe dobësimin e pluralizmit. Tom Ginsburg dhe Aziz Z. Huq, në librin How to Save a Constitutional Democracy, shpjegojnë se populistët nuk e rrëzojnë menjëherë kushtetutën; ata e zbrazin gradualisht nga brenda përmes dobësimit të institucioneve kontrolluese, kapjes së administratës dhe organeve të pavarura, si dhe ndryshimit të rregullave procedurale për ta dobësuar opozitën.
Këto modele teorike, të dokumentuara nga autorët e lartëpërmendur, janë një udhërrëfyes i qartë për të kuptuar përvojën në Kosovë dhe sjelljen e Kurtit, duke e vendosur rastin konkret brenda kontekstit global dhe historik të populizmit personalist.
Problemi është thellësisht politik, jo kushtetues
Ky është viti i dytë që Kosova po hyn me pasiguri për vetveten dhe për qëndrueshmërinë e saj institucionale. Gjeneza e këtij problemi lidhet me politikat e partisë në pushtet, të cilat mbështeten në një qasje populiste të majtë. Këto politika janë grumbulluar gradualisht, si një ortek dëbore, që nga hyrja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës. Ideja bazë e kësaj qasjeje është sfidimi dhe rrënimi sistematik i pengesave institucionale dhe normative që shfaqen në rrugën drejt kapjes së plotë të mekanizmave të shtetit.
Në mandatin e parë, VV arriti të kapë ose të paralizojë një pjesë të madhe të aparatit administrativ, përfshirë agjencitë dhe institucionet e pavarura. Mandati i dytë, gjykuar nga sjellja e pushtetit që nga shkurti i vitit 2025 e këndej, duket se ishte i rezervuar për kapjen e plotë të gjymtyrëve të tjera të shtetit: gjyqësori, sistemi i drejtësisë dhe organi balancues i pushteteve – Presidenca.
Sharra hasi në gozhdë serioze
Kur mori pushtetin e plotë në shkurt 2021, pothuajse të gjitha rrethanat politike ia hapën rrugën Kurtit. Disa mbështetën shpresën për luftë ndaj korrupsionit dhe përmirësim të gjendjes së vendit, të tjerë pritnin zhdukjen e vendimmarrjes joformale, ndërsa një pjesë e konsideronte një politikë të paprovuar si mundësi të re. Konsensusi i heshtur ishte se ardhja e tij do të hapte një faqe të re për vendin.
Këto pritshmëri nisën të zbehen që në vitet e para të qeverisjes, kur u shfaqën skandale të ngjashme me ato të së kaluarës, por me një dallim: korrupsioni dhe keqmenaxhimi dukeshin si kaos i përhapur, pa përgjegjësi të qartë. Zgjedhjet e shkurtit 2025 zbuluan edhe një dimension tjetër të projektit politik të Kurtit: dominimin total të sistemit politik. Retorika populiste dhe burimet e shtetit u përdorën për të rritur mbështetjen elektorale dhe për të mundësuar kapjen e institucioneve qendrore.
Reagimi i opozitës gjatë këtij procesi ishte i pamjaftueshëm. Disa liderë nuk perceptuan ende rrezikun, ndikuar edhe nga afrimet taktike të Kurtit dhe premtimet për bashkëqeverisje ose ndarje të resurseve pas zgjedhjeve të ardhshme. Situata ndryshoi kur u bë e qartë se synimi ishte nënshtrimi edhe i Presidencës, institucioni më balancues i sistemit kushtetues.
Luftimi i populizmit personalist përmes uzurpimit të kompetencave
Më 5 mars 2026, Presidentja Vjosa Osmani vendosi të shpërndajë Kuvendin e Kosovës, duke u bazuar në pretendimin e pamundësisë së tij për zgjedhje të shefit të ri të shtetit. Shumë interpretime u mbështetën vetëm në tekstin e nenit për zgjedhjen e presidentit 30 ditë para mbarimit të mandatit, por kjo qartë nuk i jep presidentit kompetencën për shpërndarjen autonome të parlamentit. Në një sistem parlamentar, presidenti nuk është bartës ekzekutiv dhe nuk mund të shpërndajë parlamentin, i cili përfaqëson vullnetin e sovranit. Të vetmet kushtetuta që lejojnë diçka të ngjashme janë ato të Afrikës së Jugut dhe Namibisë. Megjithatë, edhe aty presidentët zgjidhen direkt nga populli dhe mund të shpërndajnë parlamentin vetëm për arsye të qarta, të përcaktuara në kushtetutë. Në mënyrë të ngjashme, në këto dy vende, parlamenti mund të shkarkojë shefin e shtetit në rastet kur mungon bashkëpunimi mes tyre ose kur sistemi bllokohet, gjithmonë brenda rregullave të parashikuara kushtetuese.
Në të gjitha vendet me sistem parlamentar, parlamenti mund të shpërndahet vetëm për dy arsye: së pari, për shkaqe të përcaktuara qartë nga kushtetuta; së dyti, përmes vendimeve të marra nga vetë parlamenti. Në Kushtetutën e Kosovës, këto rrethana janë të përcaktuara qartë në Nenin 82 dhe janë interpretuar nga tri aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, “shpërndarja” më 5 mars i shërbeu interesave të Kurtit, duke i ofruar argumente për të avancuar rrënimin e rendit kushtetues përmes rrugëve kuazikushtetuese. Dekreti jokushtetues i presidentes krijoi terren për retorikën dhe praktikën populiste të Kurtit, me synimin e kapjes së institucioneve qendrore.
Në këtë kontekst, zgjedhjet e reja janë shpresa e fundit për të ndaluar regresin kushtetues. Vetëm përmes procesit demokratik dhe votës mund të ruhet integriteti i sistemit parlamentar, ndërsa çdo përpjekje për të shndërruar natyrën e këtij sistemi i shërben rrugës populiste të Kurtit dhe synimit të tij për kapjen totale të pushtetit.
Autori është kryetar i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare