Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se pret që Gjykata Kushtetuese të veprojë “shpejt”, ndërsa paralajmëroi se grupi parlamentar i LVV-së do ta dërgojë sot për shqyrtim dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Haxhiu tha se Kushtetuesja duhet “të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes”.
“Tashmë pritet që Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese lëndën që ndërlidhet me veprimin jokushtetues të presidentes Osmani. Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt së pari masën e përkohshme, sepse pasojat do të jenë të pariparueshme. Prandaj le ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
Haxhiu tha se vendimi i Osmanit për të “ka qenë befasi” sepse, “është jokushtetues, është i ngutshëm”.
“Nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtë presidentes që, pa kaluar afati 60-ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit të vendit, ta shpërndajë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Presidentja nuk është mbi Kuvendin e Kosovës”, tha ajo.
Ajo tha se vendimi i Osmanit është “minim i punës së Kuvendit dhe minim i institucionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pasi Presidenti i ri nuk u zgjodh deri në fund të ditës së enjtë, më 5 mars.