Liburn Aliu, prej që dha dorëheqje nga Qeveria dhe rrjedhimisht nga Vetëvendosje, nuk ka dhënë intervista, e as nuk ka bërë postime në rrjetet sociale. Sot, pas vizitës që ia bëri Fadil Fazliut, u uroi kthim në shtëpi “të gjithë shokëve” që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Ish-ministri i Infrastrukturës, tani drejtor i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, ka publikuar fotografi nga shtëpia e Fazliut krahas ish-ministrit të Diasporës Valon Murati.
Në përshkrimin e fotografisë, Aliu shkruan:
Në vizitë te Fadil Fazliu që sapo na erdhi nga Haga. I urojmë shëndet dhe lirim te plotë bashkë me shokët që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Lufta çlirimtare e popullit tonë është themeli i lirisë sonë dhe cdo sulm mbi të është sulm mbi të gjithë ne.
Gjykata Speciale ka liruar së fundmi nga paraburgimi Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.