Blerim Sallahu i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kishte ushtruar detyrën e ministrit të Drejtësisë për pak kohë në Qeverinë Kurti 2, tha se dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin pasi Presidenti i ri nuk u zgjodh në fund të ditës së enjtë, “cenon stabilitetin shoqëror”.
Sipas tij, Avokati i Popullit do të duhej ta dërgonte këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese.
“Republika e Kosovës, “Avokat të Popullit” më politik dhe jopopullor se ky i tanishmi nuk ka pasur ndonjëherë! Ndonëse, Avokati i Popullit sipas nenit 113 par.2.1, të Kushtetutës ka të drejtë ta dërgojë dekretin kundërkushtetues në Gjykatë Kushtetuese, ende nuk e ka bërë këtë”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“Si është e mundur që “Avokati i Popullit” të mos e dërgojë një rast të tillë në Gjykatë Kushtetuese, kur dihet se dekreti haptazi cenon stabilitetin shoqëror, ekonomik dhe social të shtetit tonë?!”, shtoi Sallahu.
Ai thotë se Avokati i Popullit, që ka komentenca për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, “me vetëdije të plotë e ka shkelur këtë mandat, duke i mbrojtë për pesë vite, vetëm të drejtat e një grushti të individëve të AAK-së”.
“Në vend që të shfrytëzojë të drejtën ligjore me u bo mik i gjykatës (amicus curiae) në rastin konkret, ai është bërë mik i subjektit politik, AAK. Përfundimisht ky “Avokat” kurr nuk ka qenë në shërbim të popullit, por veç në shërbim të klaneve dhe interesave të tij!”, shkroi Sallahu.