SHBA-ja konfirmon fundosjen e anijes iraniane, thotë se Teherani po lëshon më pak raketa - Gazeta Express
string(87) "shba-ja-konfirmon-fundosjen-e-anijes-iraniane-thote-se-teherani-po-leshon-me-pak-raketa"

Lajme

Gazeta Express

04/03/2026 18:14

SHBA-ja konfirmon fundosjen e anijes iraniane, thotë se Teherani po lëshon më pak raketa

Lajme

Gazeta Express

04/03/2026 18:14

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, konfirmoi se një nëndetëse amerikane e fundosi një anije luftarake iraniane pranë brigjeve të Sri Lankës, ndërsa zyrtarë ushtarakë thanë se Irani po lëshon më pak raketa drejt objektivave në rajonin e Gjirit, për shkak të dobësimit të madh të kapaciteteve të tij për të vazhduar luftën.

Duke folur në një konferencë më 4 mars, Hegseth e quajti sulmin një “vdekje të heshtur”. Nga sulmi mbetën të vrarë të paktën 87 marinarë, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën ose rezultojnë të zhdukur. Autoritetet e Sri Lankës thanë se 32 marinarë iranianë u shpëtuan.

“Një nëndetëse amerikane e fundosi një anije luftarake iraniane që mendonte se ishte e sigurt në ujërat ndërkombëtare. Në vend të kësaj, ajo u godit dhe u fundos nga një silur”, tha Hegseth.

Hegseth tha se Shtetet e Bashkuara kanë burime të mjaftueshme për ta vazhduar fushatën, e cila nisi më 28 shkurt paralelisht me sulmet e Izraelit, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke thënë se Uashingtoni do të marrë “gjithë kohën që i duhet” për të siguruar fitoren.

Si kundërpërgjigje, Irani ka ndërmarrë valë sulmesh me raketa dhe dronë ndaj shteteve përreth Gjirit Persik, duke rritur frikën se lufta mund të përhapet në mbarë rajonin.

Duke nënvizuar këto shqetësime, një raketë balistike e lëshuar nga Irani u drejtua kah hapësira ajrore e Turqisë, para se të interceptohej nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s.

Aleanca ushtarake, pjesë e së cilës është edhe Turqia, e dënoi incidentin, duke thënë se “qëndron vendosmërisht përkrah të gjithë aleatëve”.

Në të njëjtën konferencë me Hegsethin, gjenerali Dan Caine, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët, tha se Irani po lëshon rreth 86 për qind më pak raketa balistike sesa më 28 shkurt, ditën e parë të konfliktit. Sipas tij, edhe lëshimet e dronëve kanë rënë pothuajse në të njëjtën masë.

“Kemi municion preciz të mjaftueshëm për detyrën që kemi përpara, si për sulm, ashtu edhe për mbrojtje”, tha Caine.

Hegseth i përsëriti këto komente, duke shtuar se forcat e koalicionit presin të marrin kontroll të plotë mbi hapësirën ajrore iraniane brenda rreth një jave, gjë që do të mundësonte zgjerimin e operacioneve të bombardimit në mbarë vendin.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se dyshon në aftësinë e Iranit për ta ruajtur ritmin e sulmeve ndaj vendeve të Lindjes së Mesme, duke pasur parasysh dobësimin e madh të ushtrisë së tij pas luftës 12-ditore të vitit të kaluar me Izraelin, si dhe fushatës aktuale amerikano-izraelite.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në Varshavë më 4 mars, ajo tha se “kapacitetet iraniane nuk janë të pafundme, sidomos nëse edhe miqtë e mëdhenj nuk i mbështesin”.

“Edhe amerikanët kanë thënë se objektivi i tyre janë lëshuesit e raketave dhe fabrikat e raketave, prandaj kapaciteti i Iranit për të shkaktuar dëm është, ndoshta, edhe më i kufizuar sesa dëshiron të paraqesë. Kjo është gjithmonë edhe një betejë për narrativën”, tha Kallas./Radio Evropa e Lirë

Advertisement
Advertisement
Advertisement