Ora për Kosovën ndryshoi. Prekazi ndezi kryengritjen, dhe bota po kthente sytë nga Kosova. Gazeta New York Times po mbushte faqet me betejën në Prekaz
“Trupat e 51 shqiptarëve etnikë, me pjesën e poshtme të mbështjellë me çarçafë të bardhë, qëndronin të shtrirë në dy radhë, mbi dyshemenë e betonit të një garazhi të vjetër, ndërsa një shi i imët binte pa pushim mbi çatinë me tjegulla”.
Kështu e niste artikullin e 10 marsit 1998, gazeta prestigjioz amerikane New York Times (NYT), për sulmin në Prekaz – më 5, 6 dhe 7 mars. Ishte artikulli i tretë i gjatë që kjo gazetë po ia kushtonte ngjarjes që shënoi edhe nisjen e kthesës së madhe për Kosovën.
“Disa prej trupave ishin djegur aq rëndë sa nuk njiheshin më. Mes viktimave kishte 25 gra dhe fëmijë të vegjël. Shumica mbanin vrima të vogla, të errëta dhe të kuqe nga plumbat. Disa kafka ishin copëtuar; një trupi i ishte prerë koka”, shkruante New York Times.
Sipas raportimeve të gazetës, me numrin e viktimave në Prekaz, numri i shqiptarëve të vrarë gjatë përleshjeve të javës së fundit arrinte në 77, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin të zhdukur.
“Viktimat, pothuajse të gjitha nga fshati Prekaz, bastion i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshinin edhe komandantin rebel, Adem Jashari, me kokën të kthyer pas e me fytin e prerë nga një plagë e thellë”, shkruan gazeta më 10 mars 1998.
“Forca të shumta policore dhe paramilitare serbe, të mbështetura nga autoblinda dhe helikopterë luftarakë, rrethuan zonën për të mos lejuar hyrjen e të huajve dhe më pas sulmuan separatistët shqiptarë me plumba dhe predha. Shqiptarët po luftojnë për një shtet të veçantë në krahinën më jugore të Serbisë, ku 90 për qind e popullsisë është shqiptare”.
Gazeta raportonte për sfidën e varrimit të viktimave.
“Policia i solli trupat nga morgu i Prishtinës me dy kamionë”, citon New York Times, Adem Metën, një udhëheqës komuniteti lokal. “Na thanë se mund të bënim ç’të donim me ta, sepse ata e kishin mbaruar punën. Nëse nuk i varrosnim deri sonte, do t’i hidhnin në një varr masiv”.
“Ne nuk duam t’i varrosim pa ardhur familjarët për t’i identifikuar”, shtonte ai. “Por askush nuk guxon të vijë këtu tani. Është tepër e rrezikshme”.
Për krimet që i kryenin vetë, aparati policor i Serbisë, siç zakonshëm bënte, fajësonte shqiptarët edhe në deklaratat për New York Times.
Zyrtarët serbë, shkruante gazeta, pretendojnë se “gratë dhe fëmijët u vranë nga vet rebelët e armatosur që nuk i lanë të dorëzoheshin”.
Por po shtohen dëshmitë se, raportonte gazeta, ndonëse shumë nga fisi Jashari ishin të armatosur dhe qëllonin kundër policisë, civilë të paarmatosur, dhe me sa duket të gjithë meshkujt e ndaluar – u ekzekutuan, shpesh para grave dhe fëmijëve të tyre.

“Bosko Drobnjak, zyrtar serb për informimin, deklaroi se Adem Jashari kishte vrarë vetë gruan dhe nipin e tij. 20 anëtarë të familjes Jashari, që kishin arritur të dilnin nga fshati, thanë se policia i kishte detyruar burrat të shtriheshin përtokë para familjarëve të tyre dhe më pas kishte hapur zjarr me armë automatike mbi trupat e tyre”, citonte NYT.
Sipas familjarëve, Nazmi Jashari po ndihmonte nënën e tij të moshuar të dilte nga pjesa e pasme e shtëpisë kur u kap nga policë me fytyra të lyera me bojë kamuflazhi.
“E detyruan Nazmiun të shtrihej përtokë dhe i thanë nënës sime: ‘Shiko si do ta ekzekutojmë djalin tënd’”, tregoi motra e tij, Syleme Jashari, ndërsa nëna Naile qante në heshtje. “E qëlluan në qafë dhe në shpinë. Pastaj policia e mori babanë tim dhe e rrahu me kondakë të pushkëve.”
Masakra, që sfidoi thirrjet për përmbajtje nga fuqitë botërore, shkruante New York Times, ka shpërthyer zemërim dhe revoltë mes shqiptarëve. Dhjetëra mijëra marshuan nëpër rrugët e Prishtinës duke brohoritur: “Drenica! Drenica! Drenica!”, emri i rajonit ku ndodhën vrasjet.
“Sulmi i policisë dhe njësive speciale paramilitare të Ministrisë së Brendshme nisi 10 ditë më parë, pasi, separatistët shqiptarë vranë katër policë. Duket se operacioni ishte planifikuar prej javësh. Qindra policë vazhdojnë të kërkojnë grupe të vogla të armatosura që dyshohet se u kanë shpëtuar rrethimeve gjatë natës. Zyrtarët serbë janë zotuar t’i “asgjësojnë” grupet e armatosura në këtë krahinë, që dikur kishte status autonomie në Jugosllavi. Shumë shqiptarë i shohin forcat serbe si një ushtri pushtuese”, theksonte prestigjiozja amerikane.

Në Mitrovicë, rreth 40 kilometra në veriperëndim të Prishtinës, të mbijetuar nga familja Jashari treguan momentet e fundit të shumë prej atyre që tani prehen në garazhin e improvizuar në Skënderaj.
Gratë mohuan pretendimet e policisë se u ishte dhënë mundësia të largoheshin para fillimit të luftimeve. Sipas tyre, pak para agimit, autoblindat dhe tanket hynë në fshat, rrethuan disa shtëpi dhe sulmuan ata që flinin brenda.
“U zgjuam nga krismat e armëve të rënda”, tha Naile Jashari, 64 vjeç, së cilës iu vranë dy djem. “Të gjithë vrapuam për t’u fshehur”.
Ato treguan se i futën fëmijët e tmerruar nëpër shtëpi për t’i mbrojtur, derisa forcat serbe nisën të qëllonin nëpër dritare.
“Fëmijët i shtrimë në dysheme dhe u përpoqëm t’i mbronim”, tha Sala Jashari, 38 vjeç, burri i së cilës u vra. “Pasdite, serbët filluan të hedhin granata mbi shtëpinë tonë, ndonëse nga aty nuk qëllohej. Hodhën gaz lotsjellës përmes dritareve. U detyruam të largoheshim.”
Ajo tregoi se burri i saj u plagos në arë ndërsa po largoheshin me pesë fëmijët. “Na tha të vraponim, se tani më e rëndësishmja ishin fëmijët”.
Teksa kalonin pranë njësive policore, të gjithë burrat – të rinj e të moshuar – u ndaluan dhe u morën.
“E ndaluan burrin tim, i thanë të ngrinte duart lart dhe e qëlluan në gjoks”, tha Sevdije Jashari.
“Ra në tokë. Nuk na lanë të ktheheshim tek ai”.
Skënderaj, vetëm 1.5 kilometra nga Prekazi, është i zbrazët, shkruan NYT. Policë të armatosur rëndë ruajnë çdo kryqëzim, duke kthyer mbrapsht shumicën e makinave dhe duke mbajtur shqiptarët e frikësuar brenda shtëpive.
Zyrtarë të ndihmave humanitare thanë se policë të vendosur në çati dhe në një kullë uji kishin qëlluar tre shqiptarë që kishin dalë nga shtëpitë në katër ditët e fundit. Gjithashtu, shumë burra dyshohet se janë rrëmbyer dhe mbeten të zhdukur.
“Dy djemtë e mi u vranë”, tha Naile Jashari. “Dhe polici që e bëri, u kthye nga unë e më tha: ‘Shiko, plakë, shiko çfarë u bëmë fëmijëve të tu”.
Më 9 mars ndërkaq, New York Times raportonte poashtu për zhvillimet në Prekaz.
“Në skajin e fshatit me rreth 1.000 banorë, rreth 40 kilometra në perëndim të Prishtinës, shtriheshin afro dy duzina varresh të sapo hapura në një arë. Policët që patrullonin zonën nuk lejuan gazetarët – të ndaluar gjatë luftimeve – t’i inspektonin ato”, shkruan New York Times.
“Kishte shenja të qarta se në fshat ishte zhvilluar një përleshje e rëndë, pavarësisht pretendimeve të disa udhëheqësve shqiptarë se banorët ishin të paarmatosur. Në dyshemetë e shtëpive gjendeshin dhjetëra gëzhoja, mes tjegullave të thyera dhe trarëve të djegur. Shkatërrimi i shtëpive, shumë prej të cilave të rrethuara me mure të larta betoni, tregonte se forcat serbe kishin përdorur armatim të rëndë për të shtypur rezistencën”.
“Nuk e kishim idenë që terroristët kishin armë të këtij niveli”, citonte gazeta një komandant policie. “Na qëlluan me mitralozë. Na hodhën predha mortaje. Askush nuk e priste që kishin mortaja. Këto mund të kenë ardhur vetëm nga Shqipëria”.

Sipas New York Times, në artikullin e 9 marsit 1998, zyrtarë serbë dhe diplomatë perëndimorë thonin se kaosi politik në Shqipëri kishte lehtësuar hyrjen e armëve në Kosovë.
“Fshati ishte një shembull i guximit në rritje të rebelëve në zonat e thella të Krahinës, së cilës në vitin 1989 iu hoq autonomia nga udhëheqësi serb Sllobodan Millosheviq, tani President i Jugosllavisë. Rebelët parakalonin të armatosur dhe me uniforma në mes të ditës. Shpesh ngritnin postblloqe në dy rrugët që çonin në fshat. Adem Jashari, një nga udhëheqësit kryesorë rebelë që serbët thonë se u vra në sulm, e përdorte fshatin si bazë. Shqiptarët këmbëngulin se ai kishte arritur të çante rrethimin me një grup luftëtarësh”.
New York Times kishte sjellë rrëfimin e një gruaje, Marie Kodra, 38 vjeç, që tha se u largua nga Prekazi me pesë fëmijët e saj në agimin e së enjtes.
“Serbët nisën të hedhin mortaja mbi shtëpitë tona”, tha ajo. “I mora fëmijët dhe ika. Nuk mund të dilnim në rrugë – kishte shumë policë – ndaj u ngjitëm në kodra. Ndërsa vraponim, plumbat binin përreth nesh”.
Ajo tregoi se burri i saj u vra në betejë. Në një moment, ajo iu afrua një patrulle policore dhe valëviti një shall të bardhë.
“Bërtita: ‘Jam grua me fëmijë!’ Dëgjova një oficer të bërtiste: ‘Qëlloni! Vritini!’ I shtyva fëmijët përtokë dhe një shpërthim ndodhi pranë nesh. Djali im gjashtëvjeçar humbi ndjenjat”.
“Pamë burra me uniforma të zeza dhe maska që kalonin nëpër pyll. Mbanin thika të mëdha. Mendova se djali im kishte vdekur. Ai u këndell vetëm pasi ia lava fytyrën me ujë nga një përrua”
Familja e saj lëvizi gjithë natën derisa gjeti një bodrum të zbrazët ku u fsheh deri në agim.
“Vetëm pasi dola nga zona e luftimeve mora vesh se burri im kishte vdekur”, tha ajo./VoxKosova