A e rrit prania e MEK-ut rrezikun për Shqipërinë mes tensioneve me Iranin? - Gazeta Express
string(73) "a-e-rrit-prania-e-mek-ut-rrezikun-per-shqiperine-mes-tensioneve-me-iranin"

Lajme

Gazeta Express

03/03/2026 17:36

A e rrit prania e MEK-ut rrezikun për Shqipërinë mes tensioneve me Iranin?

Lajme

Gazeta Express

03/03/2026 17:36

Sulmi amerikan dhe izraelit i 28 shkurtit në Iran, ku u vra udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei, ngriti shqetësime rreth sigurisë në shumë vende të botës, teksa Republika Islamike po kryen sulme hakmarrëse në vendet ku ekzistojnë baza ushtarake amerikane.

Shqetësime të tilla u ndien edhe në Shqipëri, ku prej vitesh strehohet grupi opozitar iranian Mojahedin-e-Khalq (MEK), që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.

Kampi Ashraf 3 në Shqipëri
Kampi Ashraf 3 në Shqipëri

Në ditën kur nisën sulmet në Iran, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mbështeti operacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Izraelit, duke thënë se shteti që ai udhëheq është përballur drejtpërdrejt me “fytyrën barbare të regjimit të Teheranit, përmes agresioneve të tij kibernetike”.

“Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore. Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë”, shkroi Rama në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.

Qeveria shqiptare nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë lidhur me situatën aktuale të sigurisë.

Shqipëria e ka akuzuar Iranin për kryerjen e një serie sulmesh shkatërruese kibernetike ndaj saj që nga viti 2022, të cilat patën në shënjestër infrastrukturën digjitale shtetërore dhe shërbimet publike, dhe çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Teheranit.

Ekspertët e sigurisë janë të ndarë për rrezikun ndaj Shqipërisë, ashtu si edhe qytetarët: disa paralajmërojnë për kërcënime të reja kibernetike ose hibride, ndërsa të tjerë besojnë se prania e MEK-ut nuk e rrit ndjeshëm ekspozimin e vendit.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSKA) në Shqipëri i kishte thënë Radios Evropa e Lirë më 2025 se sulmet kibernetike kishin qenë të vazhdueshme nga viti 2022.

“Sulmet, kryesisht të tipit ‘wipe’ dhe ‘ransomware’, kanë pasur karakter shkatërrues dhe kanë synuar paralizimin e infrastrukturave digjitale, duke shkaktuar ndërprerje shërbimesh dhe pasoja për qytetarët”, thuhej në deklaratën e AKSK-së.

Ky institucion shqiptar nuk kishte bërë ndonjë lidhje mes prezencës së MEK-ut në Shqipëri dhe sulmeve nga Irani, teksa pohonte se “institucionet shqiptare kanë treguar maturi dhe kanë ndërmarrë masa për të forcuar qëndrueshmërinë kibernetike përballë kërcënimeve të mundshme në të ardhmen”.

Kush është MEK-u?

MEK-u e konsideron veten lëvizje opozitare në mërgim kundër regjimit klerikal të Iranit. I themeluar si grup marksist kundër shahut, ai mbështeti Revolucionin e vitit 1979, por më pas u përplas me regjimin islamik, duke kryer atentate dhe sulme me bomba.

Për vite ishte në listën amerikane të organizatave terroriste, derisa u hoq në vitin 2013. Po atë vit, me ndërmjetësim të SHBA-së dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, anëtarët e tij u zhvendosën nga Iraku në Shqipëri, ku ndërtuan kampin “Ashraf-3”, pranë Durrësit.

Por, kjo lëvizje nuk gëzon përkrahje popullore në Iran. Përfshirja e saj në një seri aktesh të dhunshme në vitet 1970 dhe 1980 në Iran, dhe vendimi i saj për të mbajtur anën e Irakut gjatë Luftës së përgjakshme Iran-Irak të viteve 1980-88, çoi në etiketimin e pjesëtarëve të grupit si tradhtarë në mesin e iranianëve.

Megjithatë, qëndrimi i MEK-ut në Shqipëri nuk ka kaluar pa probleme.

Më 20 qershor të vitit 2023, Policia e Shtetit shqiptar bastisi kampin e MEK-ut, nën dyshimet se disa pjesëtarë të tij kanë kryer veprat penale “provokim i luftës” dhe “sulme kibernetike”. Vetë MEK-u e cilësoi aksionin policor si “kriminal” dhe “shtypës”.

Çfarë thonë ekspertët?

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, thotë për Radion Evropa e Lirë se Shqipëria duhet të llogarisë si rrezikun e sulmeve kibernetike, ashtu edhe skenarë më të gjerë në rast zgjerimi të konfliktit.

“[Sulmet kibernetike] mund të përsëriten në sulme kibernetike të niveleve shumë herë më të larta se ato që kemi pasur. Jo vetëm kaq, Shqipëria është e rrezikuar, nëse do të kemi një zgjerim ushtarak të konfliktit, një shkëmbim me raketa. Shqipëria është në rrugën direkte ajrore që shkon nga Irani drejt Evropës”, vlerëson ai.

Kulla shton se “Shqipëria nuk mund të bëjë shumë në këtë aspekt”.

“Nëse zgjerohet konflikti, do të jetë për të gjithë, thjesht do të rrimë në rreshtin që kemi zgjedhur”, shprehet ai.

Manëz, Durrës: Hyrja në kampin ku janë të strehuar muxhahedinë iranianë.
Manëz, Durrës: Hyrja në kampin ku janë të strehuar muxhahedinë iranianë.

Profesori dhe eksperti i sigurisë, Xhavit Shala, thotë se nuk e sheh prezencën e MEK-ut si faktor shtesë që e rrezikon Shqipërinë nga sulmet e Iranit.

“Ata [MEK-u] e kanë marrë me kohë paralajmërimin për të mos u përfshirë në aktivitete politike ndaj Iranit. Kanë statusin e refugjatit të përcaktuar nga normat e OKB-së, janë miq në vendin tonë. Nëse e bëjnë, mund të ndjellin më shumë urrejtje nga Irani, dhe mund të kalohet në veprime, por unë nuk mendoj se do të arrihet te kjo. Pra, edhe se nuk përbëjnë rrezik të shtuar, kujdesi duhet të jetë i madh, sepse segmente të caktuara edhe mund të përfshihen”, shprehet ai.

Shala shton, megjithatë, se fakti që Shqipëria është anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) e ndryshon faktorin e rrezikut.

“Nëse cenohet një vend anëtar përmes sulmeve nga Irani, që nuk është çudi, ne jemi të përfshirë dhe rreziku është njësoj si për çdo vend tjetër. Një nivel alarmi duhet të ketë”, thotë ai.

Shala, megjithatë, nuk përjashton mundësitë e rrezikut nga sulmet shtesë kibernetike, por që, sipas tij, Shqipëria tani është më mbrojtur nga sa ishte vite më parë.

Qytetarë të Tiranës, në bisedë me Radion Evropa e Lirë, shprehin mendime të ndara sa i përket rrezikut ndaj Shqipërisë.

Disa e shohin strehimin e opozitës iraniane si faktor rreziku dhe kërkojnë masa shtesë sigurie.

“Lufta nuk është e mirë për askënd, është në dëm të të gjithë popujve. Derisa kemi pranuar opozitën iraniane, Shqipëria është e rrezikuar”, thotë Ylber Morina.

Të tjerë besojnë se Shqipëria është shumë larg për t’u përfshirë drejtpërdrejt.

“Nuk besoj se jemi të rrezikuar. Nuk besoj se ka për t’u përshkallëzuar situata kaq shumë, që të marrim dhe ne masa, të shqetësohemi”, shprehet Fjori Lumani.

Gazmir Koçiu, tjetër qytetar, thekson se situata ndërkombëtare mbetet e paqëndrueshme, dhe kërkon vigjilencë.

“Nuk ka siguri. Me ato që po shohim nëpër lajme, situata është e frikshme. Duhet të marrë masa Shqipëria. Dihej që do kishim probleme, që kur morëm anëtarët e MEK-ut”, thotë ai.

Si reagoi MEK-u ndaj sulmit mbi Iranin?

MEK-u reagoi shpejt ndaj zhvillimeve të fundit në Iran, duke parë situatën si moment historik për fundin e regjimit klerikal.

Në një mesazh publik, drejtuesja e MEK-ut dhe e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), Maryam Rajavi, deklaroi se “vdekja e Khameneit është vdekje e tiranisë fetare”, dhe tha se duhet krijuar “një qeveri e përkohshme që do të transferojë sovranitetin tek populli përmes zgjedhjeve të lira”.

Në postimet e fundit në rrjete sociale, organizata ka promovuar një plan dhjetëpikësh, që parashikon zgjedhje të lira, ndarje të fesë nga shteti, barazi gjinore dhe heqje të dënimit me vdekje.

Radio Evropa e Lirë provoi të bisedonte edhe me përfaqësues të MEK-ut në lidhje me situatën aktuale dhe shqetësimet për sigurinë në Shqipëri, por ata nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij artikulli.

Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 2023, ka thënë se nuk e konsideron MEK-un “lëvizje të qëndrueshme demokratike opozitare që përfaqëson popullin iranian”. /REL

Advertisement
Advertisement
Advertisement