Qeveria gjermane po përgatit aksionin për kthimin në atdhe të shetasve gjermanë të bllokuar në rajonin e Gjirit Persik. Avionë charter drejt Arabisë Saudite dhe Omanit, deklaroi ministri i Jashtëm Wadephul.
Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme po prek edhe dhjetëra mijëra udhëtarë nga Gjermania. Me disa aeroporte të dëmtuara pas sulmeve iraniane dhe hapësirën ajrore të mbyllur pjesërisht, ata janë bllokuar.
Qeveria në Berlin po përgatit dërgimin e avionëve drejt Lindjes së Mesme për kthimin e turistëve dhe udhëtarëve gjermanë, që janë bllokuar atje. Avionët charter do të dërgohen në Maskat në Oman dhe në kryeqytetin e Arabisë-Saudite, Riad, tha ministri i Jashtëm Johann Wadephul. Në këto vende aeroportet janë ende të hapura. Prioritet për dërgimin e avionëve ka siguria.
Ministri vuri në dukje, se ka biseduar me shefin e Lufthansa-s Carsten Spohr dhe shoqëria ajrore ka kapacitete. “Ne duam t’u ndihmojmë gjermanëve për t’u kthyer në shtëpi”, tha Wadephul. Megjithatë kushtet duhet të shqyrtohen për secilin rast individualisht. Ndodhemi në një krizë të madhe, prej së cilës janë prekur edhe shumë gjermanë. Krahas Lufthansa-s ministria është në kontakt edhe me koncernin turistik TUI dhe shoqatën gjermane të udhëtimeve.
Në radhë të parë të sëmurë dhe fëmijë
Prioritet në aksionin e kthimit do të kenë personat vulnerabël si fëmijë, të sëmurë dhe gra shtatzëna. Qeveria mund të nisë avionë privat me para nga taksat dhe si mjet i fundit mund të përdoren edhe avionët e ushtrisë. Detajet do të sqarohen. Eshtë ende e hapur, se sa avionë mund të mbërrijnë në secilin vend, prej nga mund të realizohen fluturimet.
Ministria e Jashtme llogarit me një numër pasagjerësh të bllokuar në vendet e Gjirit Persik prej rreth 30.000 shtetas gjermanë. Ata janë bllokuar për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore ose anijeve turistike, që nuk mund të largohen më nga kjo zonë.
Fluturime të posaçme nga Emiratet e Bashkuara Arabe
Në Emiratet e Bashkuara Arabe qarkullimi ajror do të hapet të paktën për fluturime të posaçme. Shoqëria më e madhe ndërkombëtare me seli në Dubai, Emirates deklaroi, se në mbrëmje do të nisë një numër të kufizuar fluturimesh.
Edhe Etihad nga Abu Dhabi deklaroi, se të hënën (02.03.2026) do të rifillojë fluturime “duke respektuar rreptësisht të dhënat për sigurinë” për kthimin e pasagjerëve të bllokuar. Ndërsa fluturimet komerciale vazhdojnë të jenë të pezulluara.
Shoqata gjermane e agjencive të udhëtimit DRV thotë se rreth 30,000 udhëtarë janë prekur. Sipas shifrave, ata ose janë tashmë në rajon ose kanë rezervuar fluturime nëpërmjet qendrave atje. Sapo të rihapet hapësira ajrore, operatorët turistikë do t’i informojnë të prekurit për opsionet e tyre të kthimit. /DW