Pronë, trashëgimi dhe kadastër: Fushata “Bëje Tënden. Regjistroje Pronën!” informon rreth 200 të rinj në katër komunat veriore - Gazeta Express
string(120) "prone-trashegimi-dhe-kadaster-fushata-beje-tenden-regjistroje-pronen-informon-rreth-200-te-rinj-ne-kater-komunat-veriore"

Lajme

Gazeta Express

03/03/2026 11:05

Pronë, trashëgimi dhe kadastër: Fushata “Bëje Tënden. Regjistroje Pronën!” informon rreth 200 të rinj në katër komunat veriore

Lajme

Gazeta Express

03/03/2026 11:05

Prishtinë, 3 Mars – Një temë që shpesh mbetet jashtë diskutimeve të përditshme siç janë të drejtat pronësore, u vendos në qendër të diskutimit nga të rinjët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Në kuadër të fushatës “Bëje Tënden. Regjistroje Pronën!”, nxënës dhe studentë nga katër komunat, u bënë pjesë e takimeve ndërgjegjësuese, ku dialogu i hapur me ekspertë të fushës krijoi një hapësirë të re për pyetje, sqarime dhe rritje të vetëdijes.

Aktivitetet u zhvilluan në bashkëpunim me organizatën joqeveritare ACDC, e cila operon në komunat veriore si partnere e projektit PIAKOS, duke vepruar në kuadër të fushatës për ngritjen e ndërgjejgësimit dhe vetëdijes qytetare mbi të drejtat pronësore. 

Dusan Radakoviq, drejtues i ACDC, ka theksuar se takimet me të rinjtë e komunitetit serb janë thelbësore, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në formësimin e të ardhmes së tyre.

Në kuadër të angazhimit me mbi 180 të rinj nga katër komuna, ACDC ka zhvilluar diskutime me përfaqësues të shkollave, të rinisë dhe institucione, me synim rritjen e njohurive mbi rëndësinë e pronës dhe të drejtave pronësore.

Gjatë këtyre aktiviteteve është theksuar nevoja për tejkalimin e praktikave tradicionale, ku prona trashëgohej vetëm nga figura mashkullore e familjes, duke promovuar një qasje më të barabartë për të gjithë fëmijët.

Temat e trajtuara përfshinë regjistrimin e pronës, procesin e legalizimit, trashëgiminë, funksionimin e sistemit kadastral dhe përdorimin e gjeoportalit, duke i përafruar procedurat ligjore me realitetin e përditshëm.

Sipas të rinjve, ndonëse më parë nuk kishin njohuri të mjaftueshme rreth procedurave dhe rrugëve ligjore, pas pjesëmarrjes në aktivitet, ata ndiheshin më të informuar për të drejtat e tyre, duke filluar nga e drejta e trashëgimisë deri te procesi i legalizimit të pronave.

Për shumë prej tyre, këto aktivitete përfaqësuan më shumë sesa thjesht një trajnim, ato shërbyen si një moment ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e sigurisë juridike dhe rolin e saj në ndërtimin e stabilitetit ekonomik.

Një pjesëmarrëse ndau përvojën e saj personale, duke theksuar se sa e zakonshme është që familjet të mbështeten në marrëveshje joformale, të cilat nuk kanë vlerë juridike.

Më parë, në familjen tonë, marrëveshjet për pronat i bënin vetëm me fjalë: ‘Ti merr tokën, unë marr shtëpinë’ dhe besonim se kjo ishte e mjaftueshme. Pas ligjeratës kuptova se marrëveshjet verbale nuk kanë vlerë juridike nëse nuk formalizohen me kontratë të noterizuar dhe nëse pronat nuk janë të regjistruara në kadastër. Kjo mund të çojë në humbjen e të gjitha investimeve të mia, pa pasur asnjë asnjë prove ligjore që i mbështet ato.” – theksoi ajo.

Marrëveshjet verbale ose joformale nuk kanë asnjë peshë juridike në çështjet e pronësisë pasi që ligji kërkon që çdo marrëveshje në lidhje me pronën të bëhet me kontratë të shkruar, të noterizuar dhe të regjistruar në kadastër.

Pa këto hapa, marrëveshjet ‘me fjalë’ nuk njihen nga institucionet dhe nuk ofrojnë asnjë mbrojtje ligjore për qytetarët.

Ndërkohë, një student u shpreh i habitur për mundësitë praktike të portalit digjital të Agjencisë Kadastrale të Kosovës “Gjeoportalit”, që shumë të rinj nuk e dinin se ekzistonte.

“Nuk kisha asnjë ide se ekzistonte një Gjeoportal ku mund të kontrolloja vetë se në emër të kujt është e regjistruar parcela apo shtëpia, e është falas nga telefoni im. Sapo kontrollova tokën e gjyshes dhe pashë se ende ishte regjistruar në emrin e saj edhe pse ajo vdiq tre vjet më parë.” potencoi ai.

Një student tjetër theksoi rëndësinë e veprimeve të menjëhershme pas përfundimit të procedurës së trashëgimisë, duke nënvizuar një keqkuptim të zakonshëm që mund të ndodhë.

“Çfarë më habit më shumë ishte sa e rëndësishme është të fillohet menjëherë regjistrimi në regjistrin kadastral pasi procedura e trashëgimisë të përfundojë. Deri tani mendojmë se vendimi i gjykatës ishte i mjaftueshëm por pa regjistrim në kadastër, nuk jemi pronarë zyrtarë dhe nuk mund të bëjmë asgjë me pronën as ta shesim, as të marrim kredi.” shtoi ai.

Ekziston një dallim i qartë mes të drejtës për të trashëguar pronën dhe të qenit pronar i regjistruar zyrtarisht në regjistrat kadastral.

Me trashëgimi fiton të drejtën për të trashëguar pronën, por ajo nuk ka vlerë të plotë ligjore derisa të regjistrohet në kadastër.

Vetëm pas regjistrimit në kadastër njihet zyrtarisht pronësia dhe mund të përdoren të gjitha të drejtat që lidhen me të, si shitja, dhurimi ose marrja e një kredie.

Sasa Cosic nga projekti PIAKOS, organizata ATRC, ka vlerësuar se takimet e realizuara arritën objektivin kryesor, që ishte rritja e ndërgjegjësimit të të rinjve për të drejtat dhe procedurat që lidhen me pronën.

Sipas tij, pjesëmarrësit shfaqën një nivel të kënaqshëm angazhimi, sidomos duke pasur parasysh kontekstin e ndjeshëm politik dhe social në të cilin u zhvilluan aktivitetet.

Ai ka theksuar gjithashtu se temat si të drejtat pronësore, procedurat e trashëgimisë dhe shërbimet kadastrale u trajtuan në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, duke i ndihmuar të rinjtë të kuptojnë më mirë çështje që prekin drejtpërdrejt familjet dhe komunitetet e tyre.

Në Kosovë, çështjet e pronësisë vazhdojnë të jenë ndër sfidat më të ndjeshme për shumë qytetarë, kryesisht për shkak të mungesës së informacionit të plotë, të qartë dhe të saktë.

Përmes fushatës “Bëje Tënden. Regjistroje Pronën!”, synohet jo vetëm rritja e ndërgjegjësimit publik, por edhe nxitja e një qasjeje më të informuar, më të sigurt dhe më të qëndrueshme ndaj ushtrimit të të drejtave pronësore për qytetarët e të gjitha komuniteteve.

Advertisement
Advertisement
Advertisement