Derisa kanë mbetur 48 orë deri në zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re të Kosovës, politologu Altin Gjeta, ka thënë se është taktikë politike e kryeministrit Albin Kurti situata e krijuar, pasi sipas Gjetës, Kurti e sheh një opozitë të përçarë.
Sipas politologut Gjeta, skenari i Kurtit është që në momentin e fundit të propozohet një emër nga pozita dhe të mos ketë kohë të refuzohet nga opozita.
“Duke e ditur që opozita është e përçarë dhe nuk është bashkuar për një emër të caktuar unë mendoj se Kurti po luan politikisht duke e rritur presionin ndaj opozitës në mënyrë që ajo të pranojë në momentin e fundit një emër të Kurtit. Në një farë mënyre Kurti po e shantazhon politikisht opozitën që ajo të vijë në momentin e fundit kur do të duket që mund të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme dhe të dakordohet në një emër që është i pëlqyer nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Gjeta në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Sipas Gjetës, kryeministri Albin Kurti nuk ndjehet rehat me një mandat të dytë të Vjosa Osmanit sepse ajo ka profil politik të lartë, veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Osmani ka arritur disa suksese të prekshme gjatë vitit të fundit duke siguruar njohje, kontakte personale deri në nivelin e Shtëpisë së Bardhë me presidentin Donald Trump dhe në një mandat të dytë ajo do ta vendoste në hije Kurtin. Duket qartë që ai nuk e dëshiron dikë me eksperiencë politike që ta kompleksojë. Me sa duket ai e shikon si rrezik të mundshëm politik për qeverinë e tij, për partinë e tij, një presidente si Vjosa Osmani e cila ka eksperiencë politike dhe profil të lartë ndërkombëtar. E gjithë lufta politike e Kurtit është për ta shmangur rimandatimin e Osmanit si presidente”, ka thënë Gjeta.
Presidentja Vjosa Osmani, e ka shprehur ambicien për një mandat të dytë si presidente, mirëpo kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk i ka votat e mjaftueshme për asnjë emër si kandidat për këtë pozitë.
Ai ka filluar takimet me opozitën, duke i takuar dy herë radhazi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas takimit të sotëm, Abdixhiku ka deklaruar se nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, e sidomos ndaj presidentes aktuale Vjosa Osmani
Megjithatë si emër ideal sipas kryeministrit Kurti është ai i profesorit Murat Jashari, i cili vjen nga familja emblematike Jashari. Ky i fundit, ka thënë se nuk dëshiron të bëhet president.
4 marsi është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.