Kryetari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, tha se Teherani “nuk do të negociojë” me Uashingtonin.
Ai i bëri komentet disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se do të vazhdojë t’i ndëshkojë “terroristët” me “forcën e plotë” të ushtrisë amerikane.
Në një postim në rrjetin X, Larijani shkroi:
“Ne nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara. Sot, kombi iranian po mbron veten”.
Të dielën, në një video gjashtëminutëshe që postoi në platformën e tij Truth Social, Trump tha se lufta kundër Iranit mund të zgjasë katër javë, megjithëse u duk se e la derën hapur për bisedime të mëtejshme me udhëheqësit mbijetues në Teheran.
“Në 36 orët e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre po kryejnë Operacionin Tërbimi Epik – një nga ofensivat ushtarake më të mëdha, më komplekse dhe më dërrmuese që bota ka parë ndonjëherë”, tha Trump.
Ai shtoi se operacionet luftarake në Iran “po vazhdojnë me forcë të plotë” dhe “do të vazhdojnë derisa të arrihen të gjitha objektivat tona”.