Dy institucione për një iluzion zhvillimi - Gazeta Express
string(41) "dy-institucione-per-nje-iluzion-zhvillimi"

OP/ED

Gazeta Express

01/03/2026 12:54

Dy institucione për një iluzion zhvillimi

OP/ED

Gazeta Express

01/03/2026 12:54

Në qendër të programit të saj ekonomik, qeveria Vetëvendosje shpesh ka projektuar krijimin e dy institucioneve publike, Bankës së Zhvillimit dhe Fondit Sovran. Në shikim të parë, të dyja duken tërheqëse dhe moderne. Ato duket se premtojnë përshpejtimin e procesit të kapjes së ritmit me ekonomitë e përparuara. Megjithatë, një pyetje logjike që mund të bëhet është nëse krijimi i tyre do ta bëj arkitekturën tonë financiare më koherente, apo ndoshta qeveria po përpiqet të krijojë në opinionin publk një tjetër konfuzion?

Shkruan: Fadil Sahiti

Në literaturën bashkëkohore të zhvillimit, por edhe praktika thotë se institucione të tilla shndërrohen në mjet progresi vetëm kur veprojnë brenda një mandati të qartë. Bankat për Zhvillim mobilizojnë kapitalin për ta investuar në projekte produktive. Ato korrigjojnë dështimet e tregut dhe mbështesin sektorët strategjikë. Kurse Roli i Fondit Sovran është të menaxhoj asetet financiare publike që grumbullohen nga tepricat fiskale, ose nga rentat natyrore. Ato kanë një qëllim të qartë, të ruajnë dhe rrisin vlerën e tyre, si dhe në kohë krizash të krijojnë stabilitet makroekonomik. Pra, përveç në dritën e tepricave strukturore, siç është rasti për shembull në Norvegji, ose në zonat me burime të qarta natyrore, krijimi i fondeve të tilla tingëllon paradoksal. Nëse një Fond Sovran do të funksiononte si një instrument zhvillimi, siç shpesh promovohet nga qeveria, atëherë cili është ndryshimi i saj me Bankën për Zhvillim? Në një kontekst si i yni, pa sqaruar këtë mandat, krijimi i saj krijon mbivendosje. Dhe kur kjo nuk sqarohet, do të kemi dy emra për të njëjtën paqartësi.

Duhet sqaruar. Kosova ka nevojë për institucione të tilla, veçanërisht për një Bankë për Zhvillim. Por me një mandat të qartë. Vendimi për themelimin e kësaj banke duhet të merret pasi qeveria të jetë përgjigjur një pyetjeje të thjeshtë: a është arkitektura e re institucionale e integruar në një strategji koherente të transformimit strukturor? Pa një përgjigje të qartë për këtë pyetje, retorika politike e zhvillimit ekonomik rrezikon të degradojë në një frazë semantike: shumë institucione, shumë pak kapacitet pune.

Ekziston një rrezik i dytë, më i thellë. Në kontekstin e kufizimeve të kapaciteteve institucionale (siç është rasti me institucionet e Kosovës), shtimi i institucioneve të reja nuk garanton rritjen e efektivitetit të qeverisë; shpesh prodhon një fragmentim më të madh të përgjegjësive dhe një paqartësi të llogaridhënies. Përvoja na tregon se aty ku nuk ka mandat të qartë, përgjegjësia bëhet më fleksibile; dhe kur përgjegjësia bëhet fleksibile, performanca bëhet edhe më relative. Ndërkohë, kur performanca bëhet relative, suksesi matet me deklarata, jo me fakte.

Prandaj, një Bankë Zhvillimi pa standarde të forta profesionale dhe pa mbrojtje nga ndërhyrjet politike ka shumë të ngjarë të bëhet një instrument politik në duart e regjimeve. Ndërkohë, një Fond Sovran pa rregulla të qarta transparence dhe pa një ndarje të qartë midis objektivave zhvillimore dhe atyre fiskale, lehtësisht mund të shndërrohet në një institucion me emër të madh, por me pak punë të vogël. Në të dyja situatat, forma do të mbizotërojë substancën.

Ndërkohë, nëse qëllimi i qeverisë Vetëvendosje është të kapë vërtet ritmin e zhvillimit të ekonomive të përparuara, atëherë përparësinë duhet vënë tek forcimi i mekanizmave ekzistues të qeverisjes ekonomike, rritjen e transparencës dhe krijimin i një kuadri të integruar qeverisës ku secili sektor ka një rol të qartë dhe të matshëm. Përndryshe, kjo qeveri, ashtu si të tjerat para saj, rrezikon të krijojë të njëjtin paradoks, të krijoj institucione për zhvillim, por të qeveris një proces pa krye.

Kjo qeveri duhet të kuptojë një gjë. Qeverisja e mirë nuk ka të bëjë fare me emrat e institucioneve. Qeverisja e mirë ka më shumë të bëjë me kapacitetin që ka ndërtuar. E, kapaciteti nuk ndërtohet duke vendosur më shumë tabela në dyer, por të qeveris me më pak institucione, por ama që funksionojnë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement