Një zyrtar nga misioni detar i Bashkimit Evropian, Aspides, tha të shtunën se anijet kanë marrë transmetim VHF nga Garda Revolucionare e Iranit, duke thënë se “asnjë anije nuk lejohet të kalojë Ngushticën e Hormuzit”, raporton Reuters.
Ngushtica është rruga më jetësore e eksportit të naftës në botë, e cila lidh prodhuesit më të mëdhenj të naftës së Gjirit, si Arabia Saudite, Irani, Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik.
Zyrtari, i cili foli me Reuters në kushte anonimiteti, tha se Irani nuk e kishte konfirmuar zyrtarisht ndonjë urdhër të tillë.
Teherani ka kërcënuar për vite me radhë të bllokojë rrugën e ngushtë ujore në hakmarrje për çdo sulm ndaj Republikës Islamike.