Barcelona dëshiron ta transferojë përfundimisht Marcus Rashford dhe tashmë ka arritur marrëveshje me Manchester United për shumën që do të paguhet në tri këste vjetore, sipas një raporti të ri.
Që prej bashkimit me klubin në formë huazimi njëvjeçar në korrik, Rashford ka qenë pjesë e rregullt e formacionit të Barcelonës, duke realizuar 10 gola dhe 13 asistime në 34 paraqitje.
28-vjeçari, i cili ka zhvilluar mbi 400 ndeshje me klubin e tij të fëmijërisë, Manchester United, do të mirëpritej në “Old Trafford” nëse trajneri i përkohshëm Michael Carrick do të konfirmohej në detyrë gjatë verës, sipas “The Telegraph”.
Megjithatë, Rashford raportohet se është i lumtur me jetën e tij të re në Barcelonë.
Sipas medias spanjolle “Mundo Deportivo”, ai është “shumë i mundshëm” të qëndrojë në “Camp Nou” edhe përtej këtij sezoni.
Për ta bërë marrëveshjen përfundimtare, klubi katalanas “duhet vetëm ta aktivizojë opsionin e blerjes”, i cili kap vlerën e 30 milionë eurove (26.2 milionë paund).
Gjithashtu thuhet se është rënë dakord për një plan pagese mes Barcelonës dhe United, ku do të kryhen tri këste vjetore prej 10 milionë eurosh (8.7 milionë paund) për shërbimet e tij.
Shkurtimisht, nëse gjithçka përshtatet me rregulloret e Fair Playit Financiar të La Ligës – përfshirë edhe pagën e Rashford – Barça do ta finalizojë transferimin.
Duket se kushtet financiare sa i përket pagës nuk do të jenë problem, pasi raporti thekson: “Nuk do të ketë nevojë për negociata me përfaqësuesit e tij, sepse gjithçka tashmë është rënë dakord.”
Sipas “Mundo Deportivo”, gjithçka tregon se Rashford do të vazhdojë të luajë për Barcelonën edhe pas Kupës së Botës 2026.
Në dhjetor, Rashford foli për periudhën e tij të shkurtër, por produktive, në klubin spanjoll.
“Nuk e shoh këtë si presion. Jam këtu për të luajtur futboll,” tha ai për “BBC Sport”. “Ka qenë e mrekullueshme. Ndihem i mirëpritur, ndihem si në shtëpi. Po e shijoj çdo hap të kësaj eksperience.”
Ai shtoi: “Është një gjuhë e re e futbollit. Gjithmonë kam qenë, si shumë njerëz në botë, admirues i futbollit spanjoll.”
“Të luash për klubin më të madh në Spanjë është një nder i madh,” përfundoi Rashford. “Pres me padurim të luaj më shumë ndeshje këtu, të jap maksimumin tim dhe të ndihmoj ekipin të fitojë.”/GazetaExpress/