Tifogrupi i Kosovës, “Dardanët” kanë dalë me një njoftim saktësisht një muaj nga ndeshja e play-offit ndaj Sllovakisë.
Ata ftojnë të gjithë anëtarët e grupit, por edhe tifozët që ende nuk e kanë finalizuar anëtarësimin për këtë vit, që të paraqiten te fanclub-i për t’u informuar rreth procedurave të pajisjes me bileta.
Njoftimi i plotë i tyre, pa ndërhyrje:
NJOFTIM
Një muaj mungon nga ndeshja më e madhe që kemi pasur ndonjëherë si Kombëtare e Kosovës, asaj kundër Sllovakisë, në program më 26 mars. Nga sot, ftojmë të gjithë anëtarët tonë të grupit Dardanët, si dhe edhe të tjerët që akoma nuk e kanë finalizuar anëtarësimin e tyre te ne për këtë vit kalendarik, që të vijnë te fanclub-i ynë dhe të njoftohen rreth procedurave të pajisjes me bileta për ndeshjen në udhëtim ndaj Sllovakisë.
Pajisja me bileta do të jetë me rregulla strikte, ku secili do ta ketë biletën me emrin dhe mbiemrin e tij, si dhe duhet ta paraqesë letërnjoftimin përkatës, për shkak të kritereve që janë vendosur për këtë ndeshje nga organet vendimmarrëse dhe kompetente.
Dardanët në Sllovaki do të jetojnë nga çdo vis shqiptar dhe vendbanim kudo në Evropë e më gjerë, ku ka dhe rreh zemra shqiptare. Interesimi për të qenë atje është i papërshkrueshëm. Me zemër e me çdo qelizë, si çdo shqiptar, do të jemi pranë futbollistëve tanë, duke i përkrahur në çdo moment.
Historia na pret edhe një muaj. Çdo atom dhe energji është e koncentruar për ta shndërruar atë datë dhe datën pasuese, 31 marsin në “Fadil Vokrri”, si më të mëdhatë e më të ndriturat në historinë e Republikës së Kosovës.
Shqiptarët në datat historike i ka bashkuar kauza e përbashkët. Njësoj duhet të na përbashkojë edhe tani dëshira për ta parë krenare dhe ballëlartë Republikën tonë në majën e futbollit botëror.