Kryediplomatja shqiptare erdhi në Kosovë pak ditë pas formimit të qeverisë së re me një agjendë të ngjeshur takimesh dhe si duket me qëllimin për të ristartuar raportin mes dy vendeve me “marrëdhënie vëllazërore”, i cili pa një përkeqësim më 2023 kur Kurti po kundërshtohej me Perëndimin. Elisa Spiropali njoftoi për rifillimin e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, ia bëri një kompliment Kurtit, pati fjalë të mira për udhëheqjen e Osmanin, paralajmëroi për ndryshimet gjeopolitike dhe la një porosi për dialogun me Serbinë.
Gazeta Express
Ministrja për Europë dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, harxhoi një ditë të plotë pune për vizitën e saj në Kosovë ku zhvilloi një sërë takimesh.
Spiropali erdhi me mesazhin se Kosova dhe Shqipëria s’e kanë luksin të ecin paralelisht në arenën ndërkombëtare, por se rrugën duhet ta bëjnë bashkë.
Në këtë drejtim, ajo paralajmëroi hapa strategjikë që duhet të bëjnë dy qeveritë për koordinim të ngushtë dhe njoftoi se me homologun e saj Glauk Konjufca kanë dakorduar përgatitjet për takimin e radhës ndërqeveritar dhe “riaktivizimin e mekanizmave strategjikë të përbashkët”.
Me këtë ajo lajmëroi për zbutjen e raporteve mes Kosovës e Shqipërisë, të cilat u përkeqësuan deri në anulimin e një mbledhjeje të përbashkët të qeverive në qershor të 2023-ës.
Tensionet me Shqipërinë u ngritën për shkak të qasjes që ndoqi kryeministri Albin Kurti atëherë karshi Bashkimit Europian e SHBA-në për ngjarjet në veri me vendosjen e kryetarëve shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama, që s’ishte pajtuar me veprimet e homologut të tij, kishte deklaruar se mbledhja s’mund të mbahej në formatin që kishte nisur të bëhej tradicional mes dy qeverive. Në vend të saj, Rama kishte kërkuar të fliste me Kurtin për tensionet në veri.
Pas një telefonate me ish-kryediplomatin Joseph Borrell, Rama kishte deklaruar: “Në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”.
Kjo e kishte shtyrë Kurtin të këmbëngulte që mbledhja të zhvillohej në formatin e planifikuar, prandaj mbledhja dështoi.
Kjo s’ishte e vetmja krisje Kurti-Rama, e cila ishte vu në qendër të opinionit.
Rama kishte hartuar një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë e të cilin e kishte dorëzuar te presidenti i Francës e kancelari i Gjermanisë.
Në përgjigjen e dhënë për këtë nismë të Ramës, Kurti duke ironizuar e kishte udhëzuar atë që propozimin ta aplikonte për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Nuk kam dyshim që Edi Rama beson se propozimi i tij i draft-statutit është i mirë dhe duke qenë kështu, çfarë unë propozoj është që kryeministri Rama këtë draft-statut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë presidentit të Serbisë më së largu në takimin e radhës të Ballkanin e Hapur për shqiptarët në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc”.
Sidoqoftë, pas kësaj periudhe Kurti e Rama u munduan t’i fshihnin tensionet mes vete në samitet ku iu ra të takoheshin.
Por, në vizitën e ministres së Ramës në Kosovë u kumtua një zbutje e rivendosje raportesh tashmë kur qeveria e re e Kurti ka zënë vend.
Fillimisht, ajo nisi vizitën e saj zyrtare në Prekaz krahas homologut të saj me të cilin me t’u kthyer në Prishtinë zhvilloi një takim dhe pas tij një konferencë për media.
Takimi i radhës i saj ishte me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, të cilës po i përfundon mandati.
Këtu Spiropali lavdëroi rolin e saj në marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët – një çështje që vetë Osmani po e shtyn së fundi teksa kërkon me ngulm edhe një mandat të dytë.
“Pritja nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me vlerësimin për angazhimin e saj në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me partnerët strategjikë, SHBA-në dhe vendet e BE-së”, shkroi ajo.
Një kompliment e ruajti edhe për Kurtin, të cilin me humor e bëri faktor për daljen e diellit.
Gjatë dorështrëngimit për fotografi para gazetarëve, Spiropali u dëgjua të thoshte: “E ka nxjerrë Albini diellin sot’’.
Pas takimit me të, Spiropali tha se hapi i radhës i bashkëpunimit do të jetë mbledhja e përbashkët e qeverive Rama-Kurti “me projekte konkrete, me afate dhe me përgjegjësi të qarta”.
Nga krerët e institucioneve në fund e la takimin me kryeparlamentaren Albulena Haxhiu dhe nga aty shkoi në KFOR për t’u takuar me komandantin e misionit e me trupën e forcave shqiptare.
Pastaj, radha iu erdhi liderëve të opozitës.
Ajo fillimisht ia zuri derën Bedri Hamzës të PDK-së e më pas Lumir Abdixhikut të LDK-së. Ndërsa për sot e la kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Një porosi që shkoi si e pavërejtur, Spiropali e la për dialogun Kosovë-Serbi.
Në postimin e saj për takimin me Kurtin, Spiropali, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe pasi tha se e ka përgëzuar që Kosova formoi në kohë Kuvendin dhe Qeverinë, i kërkoi atij “vendimmarrje të qartë” edhe për dialogun me Serbinë.
“Stabiliteti nuk është luks. Është kusht për vendimmarrje të qartë – në proceset e brendshme, në dialog dhe në rrugën e integrimit”.
Për dialogun me Serbinë, Spiropali foli edhe në konferencën e përbashkët me Konjufcën ku përsëriti pozicionin e shtetit shqiptar se negociatat me Serbinë duhet të përfundojnë me njohje reciproke.
“Dialogu mbetet rruga për një zgjidhje të qëndrueshme dhe për një stabilitet afatgjatë në rajon. Por stabiliteti nuk ndërtohet mbi mohimin e realitetit. Realiteti është se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Njohja reciproke është e vetmja bazë e qëndrueshme për një marrëdhënie të shëndoshë mes dy shteteve dhe një rajon të lirë nga tensionet e trashëguara”, tha ajo.
Vizitën e Spiropalit në Kosovë e pa edhe për një mision tjetër analisti Blerim Latifi. Ai tha se me këtë vizitë të saj, që e nisi në Prekaz në kohën kur u përfol shumë se një anëtar nga familja Jashari do të mund të ishte kandidat i pranueshëm për të gjitha partitë në Kuvend, Shqipëria po bën përpjekje “për të lehtësuar arritjen e një konsensusi ndërpartiak për Presidentin”.
“Kosova ka marrë përsipër obligime të rëndësishme ndërkombëtare, situata në Europë dhe ajo globale mbetet e trazuar dhe një krizë e re politike në Kosovë do të mund ta dëmtonte seriozisht reputacionin e saj si partner i besueshëm në aleancat ku është e përfshirë. A do të ketë sukses misioni i Spiropalit? Kjo mbetet të shihet shumë shpejt”.