Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri tha se ende nuk është diskutuar me emra të përveçëm për çështjen e Presidentit.
Ai tha se PDK-ja do ta mbështesë dikë që “nuk e përfaqëson veç pozitën ose veç opozitën”.
“Qasja ka qenë me folë në standarde, në parime, pa emra të përveçëm. Kemi thënë që vendit i bën nder dhe Partia Demokratike e Kosovës e mbështetë dikë që nuk e përfaqëson vetëm një parti politike, që nuk e përfaqëson veç pozitën ose veç opozitën, por dikë që e përfaqëson edhe pozitën, edhe opozitën, por realisht edhe qytetarët që nuk e votojnë Presidentin direkt”, tha ai.
Tahiri tha duhet një president me “reputacion e integritet edhe vendor, edhe ndërkombëtar”, dhe se “nëse është e nevojshme, e arsyeshme dhe kërkohet, padyshim që PDK-ja do të nxjerrë edhe emra”.
“Ende nuk është faza që kemi folë me emra të përveçëm. Nuk kemi folur as dje, nuk po flasim as sot. Por mendoj që vullneti i Partisë Demokratike të Kosovës është që me kontribu në interes të institucioneve të vendit dhe shoqërisë. Por nëse nuk do të mund të gjendet dikush dhe nëse nuk ka me pasë disponim prej forcës kryesore politike, Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme gjithashtu që të shkojë në zgjedhje”, tha ai.
Për marrëveshje të mundshme politike, Tahiri tha se nuk është diskutuar dhe se “çështja e marrëveshjes politike ka përfundu kur është formu qeveria”.
Ai tha se PDK-ja “nuk është e interesuar për marrëveshje politike”.