Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se paqja në Ukrainë duhet të arrihet sipas kushteve të Kievit, duke theksuar mbështetjen e palëkundur të Bashkimit Evropian.
Ajo mbërriti në kryeqytetin ukrainas, Kiev, së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në përvjetorin e katër të nisjes së luftës.
“Në Kiev për herë të dhjetë që nga fillimi i luftës. Për të përsëritur se Evropa qëndron pranë Ukrainës, financiarisht, ushtarakisht dhe në këtë dimër të ashpër. Për të nënvizuar angazhimin tonë të vazhdueshëm ndaj luftës së drejtë të Ukrainës. Dhe për t’i dërguar një mesazh të qartë si popullit ukrainas ashtu edhe agresorit: nuk do të dorëzohemi derisa të rivendoset paqja. Paqe sipas kushteve të Ukrainës” shkroi ajo në X.
Vizita e udhëheqësve evropianë në Ukrainë rikonfirmon mbështetjen politike, financiare dhe ushtarake të Bashkimit Evropian për Kievin në përballje me agresionin rus.