Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe inovacionit teknologjik.
Sipas njoftimit të Qeverisë, ekzekutivi ka vendosur të themelojë Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sistemit të financimit të kujdesit shëndetësor në vend.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka themeluar Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e miratuar gjatë mbledhjes elektronike.
Në të njëjtën mbledhje, është miratuar edhe kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 400 mijë eurosh për zbatimin e Marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 400,000.00 euro për zbatimin e Marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Qeveria ka aprovuar ndarjen e 153 mijë eurove për mbështetjen e tri ngjarjeve në kuadër të iniciativës “OctoberTech”, e cila synon të promovojë teknologjinë dhe inovacionin në Kosovë.
Sipas vendimit, mjetet janë ndarë “me qëllim të mbështetjes së realizimit të tri (3) eventeve në kuadër të ‘OctoberTech’ – iniciativë që bashkon ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë”.
Në total, përmes vendimeve të marra në mbledhjen elektronike janë ndarë 553 mijë euro për projekte që lidhen me sektorin e shëndetësisë dhe zhvillimin e teknologjisë, ndërsa themelimi i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor konsiderohet ndër vendimet më të rëndësishme të miratuara nga ekzekutivi në këtë mbledhje.