Dy klube nga Premierliga po e “monitorojnë nga afër” situatën delikate të Darwin Nunez te skuadra saudite Al Hilal, me ndërmjetës që tashmë kanë nisur kontaktet përpara hapjes së afatit kalimtar veror.
Më herët gjatë këtij muaji, Nunez u hoq nga lista e skuadrës së Al Hilal për gjysmën e dytë të sezonit në Saudi Pro League.
Sulmuesi 26-vjeçar uruguaian, i cili iu bashkua klubit verën e kaluar nga Liverpool për 46.1 milionë paund plus bonuse, u la jashtë së bashku me ish-mbrojtësin e Arsenal, Pablo Mari.
Klubet saudite lejohen të regjistrojnë vetëm tetë lojtarë të huaj të lindur para vitit 2003 në listën prej 25 futbollistësh.
“Vendimi ishte i vështirë, por kjo është puna e një trajneri,” u shpreh trajneri i Al Hilal, Simone Inzaghi.
“Ai merr shumë vendime çdo ditë, madje në çdo seancë stërvitore. Nunez dhe Pablo janë lojtarë të mirë. I dua në të gjitha garat, por i dimë kufizimet për regjistrimin e lojtarëve të huaj.”
Nunez, i cili ka shënuar nëntë gola këtë sezon, duket se e shprehu pakënaqësinë e tij të hënën (16 shkurt), kur dërgoi një mesazh drejt pronarëve të Al Hilal gjatë ndeshjes së AFC Champions League kundër Al Wahda.
Me të ardhmen e tij në Arabinë Saudite që mbetet e paqartë pas ardhjes së Karim Benzema në janar, duket se disa klube evropiane janë në gatishmëri për të vepruar.
Atletico Madrid dhe Juventus konsiderohen si “admirues afatgjatë”, sipas një raporti nga “TEAMtalk”, i cili pretendon se të dy klubet do të ishin të interesuara nëse aspekti financiar do të ishte “brenda mundësive të tyre”.
Nunez, që thuhet se përfiton rreth 400 mijë paund në javë te Al Hilal, ka shumë gjasa të duhet të pranojë ulje page nëse largohet nga Arabia Saudite, por sipas raportimeve ai do të ishte i hapur për një sakrificë të tillë.
Përveç Atleticos dhe Juventusit, ndërmjetësit kanë kontaktuar edhe disa klube në Angli në lidhje me një transferim të mundshëm të tij. Tottenham Hotspur dhe Newcastle United besohet se kanë zhvilluar bisedime me ndërmjetës për situatën e sulmuesit.
Ndërkohë, edhe Barcelona po shqyrton një lëvizje për ish-sulmuesin e Benfica, sipas “Fichajes”, megjithëse paga e tij mund të jetë një pengesë. “Çdo transferim do të kërkonte një ulje të konsiderueshme,” thuhet në raport.
Sipas raportimeve, Nunez ka qenë prej kohësh i vlerësuar nga stafi teknik i Barcelonës./GazetaExpress/