Gjatë një sezoni në të cilin superylli i Bayern Munichut, Harry Kane, pritet të thyejë një rekord golash në Bundesliga, bashkëlojtari i tij Michael Olise është gjithashtu pranë historisë.
Anësori francez, falë aftësisë së tij për të dhënë asistime, po ndjek tre rekorde të ndryshme.
Olise rikthehet këtë fundjavë në aksion në Bundesliga kundër Eintracht Frankfurt, pasi mungoi në ndeshjen e kaluar ndaj Werder Bremen për shkak të pezullimit nga kartonët e verdhë.
Me 18 asistime të regjistruara deri tani këtë sezon në kampionat, ai ka 12 javë të mbetura për të synuar tre rekorde.
Olise ka dhënë të paktën një asist në gjashtë paraqitjet e fundit në Bundesliga.
Nëse arrin një tjetër asist kundër Frankfurtit, ai do të barazohej me Thomas Müller (2021/22) dhe Douglas Costa (2015/16) për numrin më të madh të ndeshjeve radhazi me asist me fanellën e Bayernit.
Legjenda gjermane Müller ka arritur 21 asistime në një sezon të vetëm në tri raste (2019/20, 2020/21 dhe 2021/22). Olise duket plotësisht i aftë për ta thyer këtë rekord para përfundimit të sezonit.
Rekordin absolut të Bundesligës për më shumë asistime në një sezon e mban Emil Forsberg me 22 (2016/17) me RB Leipzig. Duket mjaft e mundshme që, pasi të kalojë Müllerin, Olise të tejkalojë edhe Forsbergun.
Në një fitore të fundit në DFB-Pokal kundër Leipzigut, Olise regjistroi asistimin e tij të 27-të në të gjitha garat këtë sezon. Përveç kësaj, ai ka shtuar edhe 13 gola në kampionat, kupë dhe Ligë të Kapionëve.
Me 10 gola në Bundesliga, Olise ndan vendin e pestë në renditjen e golashënuesve. Kane (26) dhe Luis Díaz (13) mbajnë vendin e parë dhe të dytë. Duke llogaritur golat dhe asistimet së bashku, Kane (33), Olise (28) dhe Díaz (26) janë gjithashtu tre lojtarët me më shumë “pikë kontributi” në Bundesliga këtë sezon./GazetaExpress/