Vëllaznimi shënoi një fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj Sigal Prishtinës, në kuadër të javës së 20-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë ishte e barabartë dhe emocionuese deri në sekondat e fundit. Rezultati përfundimtar u vendos 74-69 në favor të vendasve.
Te Vëllaznimi, Yor Aneji shkëlqeu me 24 pikë, ndërsa Jericole Hellems kontribuoi me 21 pikë. Nga ana tjetër, te Sigal Prishtina, më efikasi ishte Adrio Bailey me 23 pikë, i ndihmuar nga Elijah Clarance me 19 pikë dhe 7 kërcime, por përpjekjet e tyre nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.
Në momentet vendimtare, Vëllaznimi tregoi qetësi nga vija e gjuajtjeve të lira, duke ruajtur avantazhin minimal deri në fund dhe duke siguruar një fitore të vlefshme për moralin dhe renditjen në Superligë. /GazetaExpress