Në shumë vende të botës, tifozët shkojnë në stadiume që mbajnë emra sponsorësh, markash apo kompanish.
Emra që ndryshojnë pothuajse çdo vit, sipas kontratave dhe tregut.
Në Kosovë megjithatë ndodh diçka tjetër.
Kur hyn në stadium, nuk hyn vetëm në një fushë futbolli – hyn në një objekt që të kujton historinë, të rikthen në kohë, dhe të bën mos të harrosh ata që mundësuan lirinë.
Në stadiumet e shumë qyteteve të Kosovës jetojnë emra njerëzish që nuk patën fatin të shohin Kosovën dhe tifozët që sot brohorasin në tribuna.
Shumë prej stadiumeve tona mbajnë emrat e dëshmorëve dhe heronjve të luftës së viteve 1998–1999 – njerëz që dhanë jetën për lirinë që sot festohet edhe përmes futbollit.
Pas luftës, Kosova nuk i rindërtoi vetëm shtëpitë, rrugët dhe shkollat. Ajo rindërtoi edhe kujtesën e popullit ndaj atyre që dhanë jetën. Qytetet filluan të emërtojnë rrugë, sheshe, institucione dhe objekte publike me emrat e atyre që kishin rënë për liri.
Stadiumet nuk bënë përjashtim.
Sepse stadiumi është vendi ku qindra e mijëra njerëz ndajnë emocione, festojnë, vuajnë, shpresojnë.
Pikërisht për këtë arsye, shumë qytete zgjodhën që vendi i festimeve të përbashkëta të mbajë emrat e atyre që sakrifikuan gjithçka, që ne të kemi dhe të gëzojmë lirinë e shtrenjtë.
Futbolli është festë. Liria është sakrificë. Dhe në stadiumet e Kosovës, këto dy botë takohen çdo javë.
Çdo javë, sa herë rikthehen skuadrat në fushën e lojës, emrat e dëshmorëve dhe heronjëve përmenden. Si në komunikimet e përditshme, ashtu edhe nëpër artikuj të portaleve e në kronika të televizioneve.
Në Superligën e Kosovës aktualisht garojnë dhjetë klube, me nëntë stadiume.
Prej tyre, gjashtë janë të emërtuar, derisa tre stadiume thjeshtë quhen “Stadiume të Qytetit”.
Në Suharekë, Ferizaj e Gjilan, stadiumet janë pa emër momentalisht. Në Gjilan e Ferizaj janë vetëm stadiume ndihmëse.
Mirëpo, në qytetin e Gjilanit, stadiumi që po rinovohet quhet “Stadiumi i Qytetit”, pasi këto stadiume i përkasin komunave. Megjithatë, tifozëritë e dy klubeve, Dritës dhe Gjilanit, ia kishin vendosur secila nga një emër, i cili ndryshonte sa herë që njëra apo tjetra skuadër luante.
Përderisa të gjitha klubet luajnë në stadiumet në qytetin e tyre, vetëm Prishtina e Re detyrohet të luajë në Lipjan, shkaku që nuk ka stadium ende.
Të gjithë emrat e stadiumeve që do të përmenden janë të rëndësishëm, andaj për mos t’i “hyrë në hak” askujt, po i rendisim sipas gjendjes në tabelën e Superligës.
Pasi që thamë se Ballkani luan në “Stadiumin e Qytetit”, e nisim me Prishtinën…
STADIUMI “FADIL VOKRRI” – PRISHTINË
Në zemër të kryeqytetit të Kosovës ndodhet stadiumi më i madh dhe më i rëndësishëm i vendit.
Është shtëpia e kombëtares së Kosovës dhe një nga vendet ku janë përjetuar disa nga momentet më historike të futbollit kosovar. Ky stadium sot mban emrin e një prej figurave më të mëdha që ka nxjerrë ndonjëherë sporti kosovar. Stadiumi quhet “Fadil Vokrri”.
Fadil Vokrri ishte futbollisti më i madh në historinë e Kosovës dhe figura që lidhi futbollin kosovar me arenën ndërkombëtare. Ai shkëlqeu me klubin e Prishtinës në vitet ’80 dhe më pas ndërtoi një karrierë të suksesshme në Evropë, duke u bërë një nga futbollistët më të njohur shqiptarë të asaj kohe.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, roli i tij u bë edhe më i madh. Si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, Vokrri ishte figura kryesore në procesin historik të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA në vitin 2016. Ky moment e vendosi përfundimisht Kosovën në hartën botërore të futbollit.
Në vitin 2018, pas ndarjes së tij nga jeta, stadiumi i Prishtinës u riemërua në nder të tij. Ky vendim nuk ishte vetëm një akt simbolik, por një mënyrë për të përjetësuar kontributin e njeriut që ia hapi dyert e botës futbollit kosovar.
Sot, çdo ndeshje ndërkombëtare që luhet në këtë stadium zhvillohet nën emrin e njeriut që e bëri të mundur që Kosova të luajë në skenën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, stadiumi nuk është vetëm një vend ku luhet futbollit, por është një homazh i përhershëm për figurën që ndryshoi historinë e futbollit në Kosovë.

STADIUMI “LIMAN GEGAJ” – MALISHEVË
Liman Gegaj ishte një dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Malisheva, i cili ra gjatë luftës së Kosovës 1998–1999.
Ai ishte pjesë e luftimeve për mbrojtjen e popullatës dhe territorit dhe konsiderohet një nga figurat më të respektuara lokale të rezistencës.
Qyteti vendosi që stadiumi të mbajë emrin e tij për të nderuar sakrificën e tij dhe për ta lidhur sportin me kujtesën historike.
Sot, çdo gol dhe çdo brohoritje në stadiumin “Liman Gegaj” është një përkujtim i sakrificës së tij dhe i historisë së qytetit.

STADIUMI “18 QERSHORI” – KLINË
Stadiumi në Klinë quhet “18 Qershori”. Ky emër nuk i përket një personi, por një date të rëndësishme për Klinën dhe qytetarët e saj.
18 qershori 1999 shënon ditën e çlirimit të qytetit gjatë Luftës së Kosovës.
Në këtë ditë, banorët u kthyen në shtëpitë e tyre pas okupimit dhe forcat ndërkombëtare siguruan sigurinë e zonës, duke shënuar fillimin e një kapitulli të ri për qytetin.
Stadiumi u emërua me këtë datë për të përjetësuar kujtesën e çlirimit dhe për të lidhur sportin me identitetin historik të qytetit. Për banorët e Klinës, çdo ndeshje e luajtur këtu është një përkujtim i lirisë së fituar dhe sakrificave të bëra gjatë luftës.

STADIUMI “ZAHIR PAJAZITI” – PODUJEVË
Në Podujevë, futbolli është pjesë e identitetit të qytetit. Çdo fundjavë, tifozët e Llapit mblidhen për të mbështetur ekipin e tyre në stadiumin qytetit. Por ky stadium nuk është vetëm shtëpia e klubit – është edhe një vend ku përjetohet një Hero i Kosovës.
Stadiumi mban emrin “Zahir Pajaziti”.
Zahir Pajaziti ishte një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës së armatosur në Kosovë dhe konsiderohet ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai veproi për vite me radhë në ilegalitet, duke organizuar strukturat e para të rezistencës dhe duke u bërë një simbol i hershëm i luftës për liri. Më 31 janar 1997, ai u vra në një pritë policore serbe, duke u bërë një nga figurat më simbolike të fillimit të luftës.
Podujeva vendosi që stadiumi i qytetit të mbajë emrin e tij për ta nderuar sakrificën dhe rolin e tij në historinë e Kosovës.
Sot, çdo ndeshje që luhet në këtë stadium zhvillohet nën emrin e një njeriu që nuk arriti ta shohë Kosovën e lirë, por kontribuoi që ajo të ekzistojë.

STADIUMI “BAJRAM ALIU” – SKËNDERAJ
Bajram Aliu ishte një dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga zona e Drenicës, i cili ra gjatë luftës së Kosovës 1998–1999. Ai ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në mbrojtjen e popullatës civile dhe në luftimet për lirinë e rajonit të Skenderajt, duke u bërë një figurë simbolike e rezistencës.
Dëshmori Bajram Aliu është i lindur më 15 mars të vitit 1971 në Likoc.
Bajrami arsimin fillor e kreu në Likoc, në shkollën “Emin Duraku”. Pastaj vijoi mësimet në shkollën e mesme të Skënderajt, në drejtimin ekonomik. Pasi kreu shkollimin e mesëm, u ftua për të shkuar në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave në vitet 1989-1990. Kjo ishte koha kur Serbia ia kishte shkelur Kosovës autonominë. Për shkak të rrethanave ekonomike, por edhe të gjendjes së rëndë të arsimit shqiptar pas zbatimit të politikës raciste në fushën e arsimit në shKolla e në universitet, pas vitit 1990, nuk i regjistroi studimet.
Megjithatë, Bajrami nuk ndenji duarkryq, por zbrazëtirën që ia kishte krijuar mungesa e jetës studentore e kishte mbushur me aktivitet sportiv, duke luajtur në kuadrin e klubit futbollistik Drenica të Skënderajt, e të atij Feronikeli të Drenasit. Ai shquhej për talentin sportiv në lojën e futbollit, prandaj edhe ishte i çmuar e i respektuar si nga kolegët e tij të klubeve ku luante, ashtu edhe nga publiku futbolldashës. Në shenjë nderimi, vlerësimi e respekti për kualitetet sportive që kishte treguar Bajrami në atë kohë, pas përfundimit të luftës, me emrin e tij ishte pagëzuar stadiumi i qytetit të Skënderajt.

STADIUMI “SAMI KELMENDI” – LIPJAN
Sami Kelmendi ishte një dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Lipjani, i cili ra gjatë luftës së Kosovës 1998–1999.
Ai ishte pjesë e operacioneve në zonën e Llapit dhe rrethina, duke kontribuar në mbrojtjen e popullatës civile dhe në organizimin e strukturave të rezistencës së UÇK-së.
Qyteti vendosi që stadiumi të mbajë emrin e tij për të nderuar sakrificën e Sami Kelmendit dhe të gjithë dëshmorëve të Lipjanit.
Për banorët dhe tifozët, emri i stadiumit është një kujtesë e gjallë e historisë dhe e kontributit të tyre për lirinë e Kosovës.
Çdo ndeshje që luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” është një përkujtim i sakrificës së tij, duke lidhur futbollin me kujtesën historike të qytetit dhe duke treguar se sporti mund të jetë edhe një formë e përjetësimit të heronjve.

STADIUMI I QYTETIT – GJILAN
Në Gjilan, zyrtarisht njihet si “Stadiumi i Qytetit”.
Megjithatë, siç e cekëm më lartë, dy tifozëritë, “Intelektualët” dhe “Skifterat”, po ashtu edhe klubet respektive, Drita dhe Gjilani, jozyrtarisht i referohen stadiumit me dy emra.
Tifozët e Dritës, sa herë që Drita luante në atë stadiumin, paralajmëronin për ndeshjet në stadiumin “Selami Osmani – Bezi”.
Selami Osmani ishte president i Dritës, dhe nën drejtimin e tij, Drita përjetoi një nga periudhat më të suksesshme në historinë e saj.
Klubi u shpall kampion i Kosovës në sezonin 2002/03, ndërsa më herët fitoi edhe Kupën e Kosovës (2000/01). Për disa vite me radhë, Drita ishte pjesë e pandashme e kreut të tabelës, duke mos rënë asnjëherë poshtë vendit të tretë, një stabilitet sportiv që fliste qartë për seriozitetin e menaxhimit.
Ndërkohë, “Skifterat” i referoheshin stadiumit me emrin e heroit Agim Ramadanit “Katanës”, i cili dha jetën për liri, duke luftuar në Betejën e Kosharës.
Agim Ramadani (3 maj 1963 – 11 prill 1999), i njohur me nofkën “Katana”, ishte një komandant i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe një nga figurat më të shquara të luftës për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Ai lindi në Zhegër të Komunës së Gjilanit dhe kreu shkollën teknike, më pas studimet ushtarake në Zagreb, Kroaci, ku u specializua në komunikacion ushtarak.
Përtej aktivitetit ushtarak, Ramadani ishte artist, poet dhe piktor – një pasion që e ndoqi edhe gjatë viteve të rinisë.
Në vitin 1998 ai la Zvicrën, ku jetonte me gruan dhe tre fëmijët, për t’u bashkuar me UÇK-në dhe për t’u angazhuar në luftën për çlirimin e Kosovës. Si komandant i Brigadës 138, ai mori pjesë në luftime të rëndësishme, përfshirë Betejën e Kosharës, ku ishte një nga strategët kryesorë.
Agim Ramadani ra dëshmor më 11 prill 1999 në Betejën e Kosharës gjatë përleshjeve me forcat serbe.
Pas rënies së tij ai u shpall Hero i Kosovës, dhe emri i tij mban sot shumë rrugë, monumente dhe institucione në Shqipëri dhe Kosovë, si simbol i guximit dhe sakrificës në luftë.

Nga Zahir Pajaziti në Podujevë, Liman Gegaj në Malishevë, Bajram Aliu në Skenderaj, deri te Fadil Vokrri në Prishtinë – çdo stadium tregon se sporti dhe historia mund të ecin dorë për dore.
Kur tifozët brohorasin, kur golat shënohen dhe kur emocionet ndahen në tribunë, nuk është vetëm futbolli që festohet. Janë kujtimet, është liria dhe është historia e njerëzve që dhanë gjithçka për vendin. Në Kosovë, çdo ndeshje luhet mbi emra që nuk duhen harruar – dhe kjo e bën futbollin tonë pak më të veçantë, pak më të thellë, dhe shumë më të lidhur me shpirtin e kombit./GazetaExpress/