Trajneri i Interit, Cristian Chivu, konfirmon se Nicolò Barella dhe Hakan Calhanoglu do të jenë të gatshëm për ndeshjen e Serie A kundër Juventusit nesër dhe zbulon se në të kaluarën ka parë “shumë ndeshje” së bashku me Luciano Spalletti.
Inter pret rivalët e Juventus në “San Siro” të shtunën, dhe tekniku zikaltër e parapriu sfidën në një konferencë për shtyp.
“Juventusi është përmirësuar me Spallettin; ai u ka dhënë identitet në një kohë të shkurtër,” tha trajneri i Inter për “FcInter1908”.
“Ai ka treguar idetë e tij dhe disa lojtarë janë përmirësuar. Ata mund t’ia bëjnë të vështirë punën kujtdo. Ne vazhdojmë të shpresojmë që paraqitjet tona të jenë në një nivel të mirë, me të njëjtën dëshirë si në muajt e fundit.”
Spalletti nuk do të mbajë konferencë për shtyp sot, duke dërguar kapitenin e Juventusit, Manuel Locatelli, përpara mediave.
“Unë sugjerova të sillnim Lautaron, por nuk ranë dakord,” tha Chivu me buzëqeshje.
“Për një trajner nuk është e lehtë të flasë çdo tre ditë. Nga këndvështrimi ynë, nuk ka shumë ndryshime mes një ndeshjeje dhe tjetrës. Është një vendim që do ta kisha ndarë me kënaqësi.”
Barella dhe Calhanoglu munguan në ndeshjet e fundit për shkak dëmtimesh, por do të jenë të gatshëm kundër “Zonjës së Vjetër”.
“Ata po stërviten që nga e hëna. Sot është e premte dhe nuk kanë pasur asnjë problem, kështu që janë në dispozicion,” konfirmoi Chivu.
“Qasja është gjithmonë e rëndësishme, sidomos për një skuadër që dëshiron të dominojë dhe ka shumë mënyra për të të sulmuar,” vazhdoi ai.
“Juventusi është një ekip hibrid; luan vertikalisht dhe mund të të dëmtojë në shumë mënyra të ndryshme. Duhet të jemi gati, si gjithmonë, të pranojmë që kontrolli i lojës do të kalojë nga njëra palë te tjetra.”
Chivu ka luajtur nën drejtimin e Spallettit te Roma dhe vazhdon të ketë një marrëdhënie të shkëlqyer me teknikun nga Toskana.
“Ai është përmirësuar shumë. Ishte shumë i mirë edhe më parë dhe është zhvilluar më tej,” tha Chivu.
“Skuadrat e tij luajnë mirë, me identitet dhe ide të qarta. Është një trajner i shkëlqyer, ka shumë për t’i dhënë futbollit dhe duhet të merret si model. Kur nuk kisha klub, kemi parë shumë ndeshje bashkë.”
Inter kryeson renditjen e Serie A me tetë pikë avantazh ndaj Milan, që ka një ndeshje më pak.
Zikaltrit kanë qenë pothuajse perfektë kundër skuadrave të gjysmës së poshtme të tabelës, por nuk kanë fituar asnjë nga 14 përballjet e fundit në Serie A kundër Juventusit, Napolit apo Milanit.
“Ne gjithmonë zbresim në fushë për të fituar, të vetëdijshëm se rruga është ende e gjatë; kanë mbetur 14 ndeshje,” përfundoi Chivu.
“Për momentin, rezultati i një ndeshjeje nuk bën diferencë të madhe, përveç aspektit mendor, dhe unë ende besoj se sezoni është i gjatë.”/GazetaExpress/