Real Madrid do ta ketë në dispozicion yllin dhe golashënuesin kryesor, Kylian Mbappe, për sfidën e rëndësishme ndaj Real Sociedad.
Sulmuesi francez kishte munguar në dy seancat e fundit stërvitore për shkak të rikthimit të një problemi në gju që e ka shqetësuar gjatë dy muajve të fundit. Megjithatë, Mbappé u rikthye në stërvitje të premten në mëngjes me pjesën tjetër të skuadrës dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës mbrëma.
Trajneri Alvaro Arbeloa konfirmoi praninë e tij:
“Po, ai është mirë. Ka stërvitur me grupin dhe është i gatshëm për ndeshjen e nesërme.”
Real Madridi përballet me një nga skuadrat më në formë në La Liga gjatë vitit 2026, ndërsa Arbeloa theksoi se fokusi i tij është vetëm te ndeshja e radhës dhe përmirësimi i vazhdueshëm i ekipit.
Ndërkohë, çështje tjetër e diskutuar këtë javë ishte marrëveshja përfundimtare mes klubit madrilen, Shoqatës së Klubeve Evropiane dhe UEFA-s për mbylljen e projektit të Superligës Evropiane. Arbeloa iu referua deklaratës zyrtare të klubit, duke e cilësuar marrëveshjen si “të mirë për futbollin”.
Sa i përket formacionit, mbrojtësi i ri Dean Huijsen vazhdon të jetë në garë për një vend titullari, megjithëse rikthimi i afërt nga lëndimi i Antonio Rudiger do të rrisë konkurrencën në repartin defensiv. Pas paraqitjeve të mira në vitin 2026, edhe Raul Asencio duket se ka siguruar përkohësisht vendin në formacionin startues.
Me Mbappé të rikthyer dhe rivalitet të fortë në çdo repart, “Los Blancos” synojnë një paraqitje bindëse përballë Real Sociedadit në një përballje që pritet të jetë vendimtare në garën për titull. /GazetaExpress