Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka komentuar shortin e Ligës së Kombeve, ku “Dardanët” janë shortuar në Grupin B3 së bashku me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.
Tekniku gjerman e pranon se Austria niset si favorite në këtë grup, por thekson se Kosova do të luftojë për objektiva konkrete dhe për të ruajtur statusin në Ligën B.
“Austria është qartazi favorite, por është një grup shumë interesant dhe i fortë. Ne do të bëjmë maksimumin për të synuar vendin e dytë. Objektivi minimal është të qëndrojmë në Ligën B dhe të mos biem në Ligën C”, është shprehur Foda për Federatën e Futbollit të Kosovës.
Përzgjedhësi i Kosovës ka një lidhje të veçantë me Austrinë, pasi më herët e ka drejtuar këtë kombëtare dhe e ka çuar drejt kualifikimit në Euro 2020.
“Do të jetë diçka e veçantë të përballem me Austrinë dhe të takoj ish-lojtarët e mi. Shpresoj të kemi mbështetje të madhe atje. Megjithatë, fokusi im aktual është te ndeshjet e marsit”, theksoi ai.
Kosova do të luajë më 26 mars gjysmëfinalen e “play-off”-it për Kupën e Botës, ku në Bratislavë do të përballet me Sllovakinë në një sfidë vendimtare për ëndrrën e kualifikimit. /GazetaExpress