Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka thënë se Raphinha mund të ketë nevojë të bëjë një hap pas për t’u rikuperuar plotësisht nga dëmtimi muskulor.
Tekniku blaugrana theksoi gjithashtu se përballjet me skuadra të kategorive më të ulëta në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit nuk janë kurrë të lehta.
Barcelona deri tani ka eliminuar CD Guadalajara (0-2), Racing Santander (0-2) dhe Albacete (1-2) në rrugën drejt gjysmëfinales, ku të enjten do të përballet me Atletico Madridin në ndeshjen e parë në “Metropolitano”. Flick u pyet nëse rrugëtimi i tyre ishte i lehtë.
“Pyetni Real Madridin,” u përgjigj Flick me buzëqeshje, duke iu referuar fitores dramatike të Albacetes ndaj madrilenëve në 1/8 e finales. Ai sqaroi se po tregonte respekt për skuadrat e Segundës, jo se po ironizonte Realin.
“Ishte përgjigjja e duhur. Duhet të respektojmë skuadrat e Segundës. Vitin e kaluar luajtëm në Barbastro, pastaj me Betis dhe Valencia, dhe rezultatet ishin më të mira se këtë vit. Ishte e njëjta gjë në Albacete dhe Santander. Duhet t’i respektojmë këto ekipe. Është Kupë dhe ato treguan cilësi. Mundën ekipe të Primeras. Për mua nuk ka kuptim të krijohet polemikë me Real Madridin. Juve [mediave] ju leverdis, mua jo. Vetëm harxhon energji dhe nuk më pëlqen.”
Barcelona do të udhëtojë drejt “Metropolitano” me një listë të gjatë mungesash, përfshirë Gavi, Pedri, Andreas Christensen dhe së fundmi Marcus Rashford.
“Kemi pasur disa probleme. Rashford nuk është gati; mori një goditje. Nuk janë lajme të mira, por besoj te skuadra ime. Situata nuk është e lehtë. Po përballemi me një ekip fantastik. Pashë ndeshjen e Kupës kundër Betis dhe ishte mbresëlënëse. Cholo po bën punë të shkëlqyer te Atletico. E vlerësoj shumë atë që pashë. Do të jetë një ndeshje e vështirë.”
Një mungesë tjetër e rëndësishme është Raphinha, i cili pritej të rikthehej në stërvitje, por ende nuk është gati.
“Hap pas hapi. Duhet të kujdesemi për të. Ai është lojtar që jep gjithçka, me intensitet të madh. Nëse ndien diçka, duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk jam i lumtur sepse na duhet, si Pedri, Gavi, Andreas apo Marcus.”
“Ai ndien shqetësime në muskuj dhe duhet të kujdesemi për trupin e tij. Ndonjëherë është më mirë të bësh një hap pas për të ecur përpara. Duhet ta mbështesim dhe ta monitorojmë.”
Flick u pyet edhe për Jules Kounde, një nga lojtarët më të kritikuar këtë sezon.
“Jules është luftëtar. Gjithmonë i përqendruar. Të gjithë jemi njerëz dhe ndonjëherë nuk ke ditën më të mirë, por ai lufton gjithmonë, edhe kur nuk e nis mirë. E vlerësoj atë që po bën. Ka mentalitet të nivelit të lartë. Do ta tregojë këtë nesër. Do të jetë një ndeshje e vështirë për të gjithë. Më pëlqen ajo që shoh te Atletico, me një filozofi të qartë.”/GazetaExpress/