Pse temat ekonomike janë terren i lehtë për dezinformim në media, rasti i PPP-ve - Gazeta Express
string(79) "pse-temat-ekonomike-jane-terren-i-lehte-per-dezinformim-ne-media-rasti-i-ppp-ve"

Shqiperi

Gazeta Express

11/02/2026 10:04

Pse temat ekonomike janë terren i lehtë për dezinformim në media, rasti i PPP-ve

Shqiperi

Gazeta Express

11/02/2026 10:04

Nga Beklie Koltraka

Temat ekonomike në përgjithësi, veçanërisht ato që kanë në fokus kontrata publike dhe Partneritete Publike-Private (PPP) janë shpesh në qendër të debateve mediatike. Megjithatë, kompleksiteti i tyre financiar dhe juridik, i shoqëruar me mungesën e shpjegimit të qartë për publikun, ka bërë që këto çështje shpesh të keqinterpretohen dhe të bëhen burim dezinformimi. Nëse marrim në konsideratë që edhe niveli i edukimit mediatik të audiencës nuk është i duhuri, pasojat në informimin e publikut për këto tematika, bëhen problematike.

Po çfarë janë PPP-të? Marrëveshje afatgjata midis një qeverie dhe një kompanie private. Ato përfshijnë ndarje risku mes shtetit dhe kompanive private, pagesa të shtrira në kohë dhe mbartin mekanizma kompleksë financiarë. Në teori, synojnë të përmirësojnë shërbimet publike duke përfshirë kapitalin privat. Ndërkohë që në praktikë, mënyra se si raportohen dhe pasqyrohen nga media shpesh reduktohet vetëm në disa shifra të izoluara dhe akuza politike, pa ofruar një analizë të plotë të strukturës së kontratave.

Një shembull tipik në Shqipëri lidhet me PPP-të në sektorin e shëndetësisë. Në raportimet e medias vihet re që elementi më i theksuar është shuma totale e kontratës, e cila paraqitet si shpenzim i menjëhershme nga buxheti. Ndërkohë që praktika në këtë fushë parashikon që këto kontrata konceptohen në pagesa vjetore të ndara sipas shërbimit të ofruar. Pa këtë sqarim, publiku krijon perceptimin se shteti po paguan menjëherë qindra milionë euro, duke nxitur reagime emocionale dhe mosbesim.

Raste te tjera të këtyre kontratave që diskutohen gjerësisht janë dhe PPP-të për ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës, ku shpesh janë krahasuar kostot totale pa marrë parasysh mirëmbajtjen afatgjatë që përfshihet në kontratë. Një pjesë e medias ka zgjedhur të fokusohet te ideja se këto projekte janë domosdoshmërisht më të shtrenjta sesa forma tradicionale e tenderimit dhe financimit direkt nga buxheti, pa analizuar elementë si transferimi i riskut teknik apo garancia e shërbimit për dekada.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, problemi shpesh nuk qëndron vetëm te vetë kontratat, por te mënyra se si ato shpjegohen.

 “Kur flasim për PPP-të, nuk mjafton të përmendim shumën totale. Duhet të shpjegojmë strukturën e pagesave, riskun që merr privati dhe përfitimin real për shtetin. Shpesh mënyra e raportimit reflekton përveç problematikës së formimit të reporterëve mediatikë edhe gjuhën e dokumenteve zyrtare që referohen”, shprehet Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Studime Ekonomike.

“Konfuzioni është i pashmangshëm në realitetin tonë, për sa kohë ka projekte që ndryshe njoftohen nga politika dhe ndryshe shkruhen në kontrata. Ndaj për të bërë një lajm në lidhje me një koncesion puna kërkimore është e domosdoshme”, deklaron gazetarja e ekonomisë Eliza Gjediku.

Ky konfuzion përforcohet edhe nga përdorimi i termave teknike pa shpjegimin e duhur apo në kontekstin e gabuar. Koncepte si “vlera aktuale neto”, “garanci sovrane” apo “pagesë sipas performancës” rrallë përkthehen në gjuhë të thjeshtë për audiencën. Po ashtu media shpesh riprodhon dokumente zyrtare ose deklarata politike, pa i interpretuar për qytetarët.

Mendoj se ky problem lidhet me formimin e përgjithshëm, formimin universitar dhe kualifikimet e reporterëve mediatikë. Pikërisht divulgimi i terminologjisë dhe përkthimi i këtyre termave në një gjuhë të kuptueshme për publikun, taksa-paguesit, votuesit, etj., është edhe një ndër detyrat e mas-medias dhe eksperteve”, shtoi Preçi.

Studime të ndryshme në fushën e dezinformimit dhe lajmeve të rreme dalin në përfundimin se temat ekonomike janë veçanërisht të ekspozuara ndaj këtyre fenomeneve. Përdorimi i të dhënave dhe shifrave në raportimet e medias, pa ofruar kontekst, apo thjeshtimi i tepruar i çështjeve komplekse financiare krijon terren për narrativë manipuluese. Të njëjtën logjikë përdorin edhe teoritë konspiracioniste.

Mungesa e aksesit në të dhënat e kontratave dhe analiza zyrtare të thjeshtuara e ka bërë debatin publik të varur kryesisht nga deklarata politike dhe interpretime mediatike. Pavarësisht promovimit të transparencës dhe përpjekjes për të ndërtuar një kuadër ligjor për të drejtën e informimit, aksesi në të dhënat që lidhen me tenderët, pra kontratat publike mbetet ende një çështje problematike. Gazetarët që mbulojnë këto fusha përballen me vështirësi serioze për të gjetur të dhënat e nevojshme për raportimin e këtyre temave.

Mjafton një “search” i thjeshtë në web për të kuptuar që vetëm pas komisionit të vetëm dhe të fundit hetimor parlamentar për këtë çështje në 2022 vëmendja e publikut u drejtua nga PPP-të, dhe vetëm prej asaj kohe qeveria filloi të publikojë disa të dhëna rreth kontratave të kësaj natyre. Kjo ndodhi edhe në kushtet kur nën asistencën e BE-së lindi nevoja për të pasur jo vetëm një inventar të këtyre kontratave, por edhe disa tregues të sintetizuar rreth tyre. Megjithë punën e mirë të ekspertëve të paktë të përfshirë, transparenca ishte dhe mbetet e cunguar”, thotë me tej eksperti i ekonomisë Preçi.

Të zbërthesh në gjuhë të thjeshtë shifrat, e sidomos kontratat koncesionare është një mision gati i pamundur. Kur flitet për PPP-të situata është edhe më e ndërlikuar. Së pari, që kur iniciohen projektet nuk ka transparencë, shpesh studimet e fizibilitetit nuk janë publike dhe kur shpallet më pas gara, kushtet që caktohen shpesh janë skualifikuese për kompanitë e huaja, pasi afati që u lihet për të marrë pjesë është shumë i kufizuar. Për shembull iu lihet afat 30 ditë për të marrë pjesë në garë, ndërsa për të përshtatur dokumentet në shqip, e për të plotësuar kushtet duhen minimalisht 40 ditë. Pika e dytë që të vështirëson punën është mungesa e transparencës gjatë procesit vlerësues. Pastaj, puna më e ndërlikuar është të përkthesh kontratën nga shqip-shqip. Shumica e kontratave koncesionare transferohen mes kompanive”, tregon gazetarja Gjediku.

Nga ana tjetër një pjesë e medias zgjedh t’i trajtojë këto çështje duke pasur në fokus e gjenerimin e ndërveprimit duke përdorur tituj sensacionalë. Kjo duket si një përpjekje për të zëvendësuar apo lënë mënjanë analizën e fakteve.

“Ritmi i televizioneve sot, për të pasur lajmin shpejt, dhe varësia nga klikimet po e dëmton cilësinë e lajmit në përgjithësi dhe atij ekonomik në veçanti. Të lexosh një kontratë, të hulumtosh mbi tenderat, si i zhvillua gara e çfarë përmban kontrata mund të të kërkojë ditë për ta sqaruar, por media sot, lajmin e kërkon brenda ditës apo edhe brenda disa orëve”, thotë Gjediku.

Në këtë mënyrë kemi një zhvendosje të fokusit të diskutimi nga përmbajtja reale e kontratave drejt perceptimeve emocionale të grupimeve të ndryshme të audiencës. Rrjetet sociale e përshpejtojnë më tej këtë proces. Algoritmat favorizojnë përmbajtjet që shkaktojnë reagime të forta emocionale, duke e bërë më të vështirë qarkullimin e analizave të balancuara. Një shifër e madhe e shkëputur nga realiteti financiar përhapet shumë më shpejt sesa një shpjegim i strukturuar.

Mungesa e informacionit të kuptueshëm mbi kontratat PPP krijon hapësirë për spekulime dhe dezinformim. Publikimi i dokumenteve është i rëndësishëm, por po aq i rëndësishëm është përkthimi i tyre në gjuhë të kuptueshme për publikun.

Prandaj në këtë proces, roli i medias dhe gazetarëve investigativë është thelbësor. Gazetaria ekonomike nuk duhet të kufizohet në riprodhimin e shifrave, por të verifikojë, krahasojë dhe shpjegojë domethënien e tyre për qytetarët. Kjo do të ndihmonte publikun të kuptojë se ku qëndrojnë realisht problemet dhe cilat janë pasojat ekonomike të politikave publike.

Zgjidhja e artë, për mua është ballafaqimi i disa burimeve. Dokumentet, deklaratat publike dhe zëri i ekspertëve. Pra sa më shumë informacion nga disa palë, është rruga që kam zgjedhur shpesh për të sqaruar një lajm në lidhje me koncesionet”, shprehet gazetarja Gjediku.

Ekspertiza ekonomike në redaksitë shqiptare nuk është e mjaftueshme. Këtë e tregon  dhe fakti se debatet mediatike në mjaft raste, më shumë synojnë denigrimin e procesit dhe jo sqarimin e anëve pozitive dhe negative, arritjeve, dështimeve, shkaqeve, përvojave të botës, etj. Prandaj ekspertët e fushës së pari, duhet që të pajisen me dije, me një kuptim të gjerë të fenomenit që analizohet, të njohin evoluimin e kësaj forme të bashkëpunimit midis shtetit dhe operatoreve ekonomikë, së dyti të analizojnë me kujdes mangësitë dhe problematikat që shfaq kuadri ligjor dhe institucional në vendin tonë dhe mbi këto dy baza të analizojnë rastet konkrete dhe mënyrat e mbrojtjes së interesit publik…”, thekson eksperti Preçi.

Udhëzimet e UNESCO mbi edukimin mediatik theksojnë se aftësia e publikut për të kuptuar temat komplekse është një armë kyçe kundër dezinformimit. Por kjo kërkon që media, gazetarët dhe ekspertët e fushës të angazhohen në një komunikim të qartë dhe të bazuar në fakte, duke lënë mënjanë keqinformimin dhe dezinformimin.

Dezinformimi mbi PPP-të nuk është thjesht çështje perceptimi. Ai ndikon në besimin ndaj institucioneve, në cilësinë e debatit demokratik dhe në mënyrën se si formohen politikat publike. Kur informacioni ekonomik përdoret në sensacion, humbet mundësia për diskutim racional rreth këtyre çështjeve që prekin direkt interesin publik.

Sfida për Shqipërinë nuk është vetëm të ketë kontrata më transparente, por edhe një komunikim publik më të përgjegjshëm. Institucionet duhet të shpjegojnë më qartë projektet, ndërsa media e ka të nevojshme të investojë në një gazetari ekonomike profesionale për të shmangur problematikat e keqraportimit. Vetëm përmes analizës së fakteve dhe raportimit të kuptueshëm, mund të frenohet dezinformimi dhe të forcohet besimi i qytetarëve.

Burime

*Ky artikull është prodhuar me mbështetjen e rrjetit SEE Check dhe me financimin e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Albanian Institute for Research (AIR) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Advertisement
Advertisement
Advertisement