Rekordmeni botëror, Agim Agushi po e synon edhe një rekord tjetër të “Guiness”.
I njohur për zhonglimin e topit, Agushi ka njoftuar se ka marrë dritën e gjelbër që ta thyejë edhe një rekord të “Guinessit”, kësaj radhe në ndërtesën më të lartë në botë, atë të “Burj Khalifa” në Dubai.
Ai ka bërë me dije se i është dhënë leja zyrtare nga menaxhmenti udhëheqës i ndërtesës në fjalë, aty ku synon ta thyejë rekordin “Ecje nga poshtë e lartë shkallëve, duke zhongluar me top në kokë”.
Agushi thotë se kjo ngjarje është paraparë të ndodh me 14 maj 2026, me fillim nga ora 10:30.
Si përfundim, ai bën me dije se kjo i është mundësuar nga gazetari i mirënjohur shqiptar, Blendi Fevziu.
Agim Agushi që ka lindur në Smirë të Vitisë në 17 janar 1970, është profesor i lëndës së matematikës në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti.
Prej vitit 2000 ka nisur të merret me sfidimin e rekordeve botërore të kategorisë Guinness.
Po mbush plot çerek shekulli që ushtron këtë aktivitet ku deri tani ka arritur të realizojë 16 rekorde Guinness dhe 20 rekorde botërore./GazetaExpress/