Në futboll, një lojtar zakonisht lidhet me një fanellë. Me një klub. Me një histori. Ka plotë të tillë. Ndër të parët që na bien në mend janë legjendat italiane, Francesco Totti me Romën e Paolo Maldini me Milanin.
Por, ka edhe histori të tjera – histori që shkruhen me shumë fanella e shumë klube.
Viktor Kuka ka veshur 12 të tilla. 12 zhveshtore i ka ndërruar. 12 fillime të reja. 12 histori të ndryshme që bashkë formojnë një rrugëtim të vetëm. Një rrugëtim me sakrifica, tituj, zhgënjime, largime të vështira, lot dhe momente që nuk harrohen kurrë.
Kjo është historia e një futbollisti që e ka jetuar futbollin në çdo formë të tij.
Në një intervistë/rrëfim me Gazetën Express, Viktor Kuka ka thënë gjithçka rreth rrugëtimit të tij futbollistik nëpër futbollin kosovar.
“Super Kuka” siç pëlqen ta quaj ai vetën dhe ashtu siç e quajnë shokët e tij, tregon për hapat e tij të parë me futbollin dhe për sfidat, gëzimet dhe lotët që i ka derdhur në një karrierë të jashtëzakonshme – teksa bën me dije se ende po e shijon dhe zor që do të ndalet…
Në karrierën e tij pothuajse 20-vjeçare, Viktor Kuka ka luajtur për Prishtinën, Teutën, Llapin, Dritën, Ferizajn, Feronikelin, Malishevën, Vëllaznimin, Lirinë, Flamurtarin, Drenicën e Suharekën.
Intervista e plotë:
Përshkruaje karrierën tënde shkurtimisht: “Një karrierë që as në ëndërr s’e kam parë, me shumë suksese e tituj…”.
Si filloi projekti i “Super Kukës?: “Gjithçka ka filluar duke luajtur futboll në lagje, pastaj një shok i babait më tha ‘hajde të shkojmë te FC 2 Korriku, te shohim a po të pëlqen, dhe aty lindi gjithçka”.
Vështirësitë e të qenurit futbollist në fillimet e Kukës: “Të bëhesh një futbollist profesionist në Kosovë në kohën kur unë i kisha 16-18 vjet ka qenë jashtëzakonisht vështirë, se s’ka pasur kushte financiare, as kurgjo. Tash është kënaqësi m’u marrë me futboll profesionist”.
12 klube të ndryshme, pse?: “E vërtetë qe kam ndërruar shumë skuadra. Me dëshiren time s’i kisha ndërruar kaq shumë, po thjeshë ka pas shumë probleme financiare në plotë klube që më kanë bërë me ndërru ambient, ndërsa për jetën të mëson jashtëzakonisht shumë dhe pjekesh më shumë në të gjitha aspektet”.
Përshtatja në ambientet e reja: “Nuk është e vështië shumë të përshtatesh në ambient të ri dhe në klub të ri, t’u e marë parasysh që Kosova është e vogël dhe në asnjë ekip s’më ka ra me lujt pa I njohur të paktën 2 ose 3 futbollistë”.
A je befasuar pozitivisht nga ndonjë klub, kur je transferuar aty? “Skuadrat që më kanë surprizuar më së shumti për të mirë kur jam transferuar kanë qenë Drita, Vëllaznimi, sepse në Prishtinë veç kam filluar karrierën”.
Pendesa në karrierë: “Një transfer që s’kisha dashur të ndodhte, është kur e kam lënë Dritën dhe kam shkuar në Ferizaj. Po të kisha pasur mundësi e kisha kthyer kohën mbrapa”
Momentet e vështira në karrierë: “Momente të vështira kam pasur shumë në karrierë, gjë që është normale, po s’kam pasur asnjë moment që kam dyshuar te vetja dhe tek aftësitë e mia”.
Evolimi i futbollit kosovar: “Futbolli kosovar është zhvilluar shumë prej kur kam filluar unë të luaj futboll. Kur kam filluar unë as s’kemi qenë të pranuar në UEFA e FIFA. Prej kohës që është kryetar Agim Ademi, futbolli kosovar ka përparuar jashtëzakonisht shumë”
Çka i mungon futbollit kosovar?: “Futbollit tonë i mungojnë në këtë kohë infrastruktura më e mirë, e cila është duke u punuar në të, dhe mendoj që të kthehen më shumë tifozë në stadium”.
Sakrificat: “Sakrifica nuk kam bërë vetëm unë, por të gjith e bëjnë, po besoj që sakrifica më e madhe është qëndrimi larg familjes”.
Trajneri më me ndikim në karrierën tënde?: “Ndikimin më të madh në karrieren time si futbollist, e ka pasur Bylbyl Sokoli për arsye se më ka bërë edhe më shumë ta dua futbollin dhe me mendu më ndryshe në aspektin futbollistik”.
Bashkëlojtarët më të mirë në karrierë?: “Ka pas shumë futbollisë të jashëzakonshëm që kam luajtur me ta gjatë karrierës. Ndër ta që po i përmedni janë vetëm disa: Besnik Krasniqi, Mentor Zhdrella, Driton Krasniqi, Qemail Elshani, Liridon Kukaj, Kushtrim Mushica”.
Kundërshtari më i vështirë?: “Kundërshtarët më të vështirë që jam përballur janë Mentor Zhdrella dhe Mentor Mazrekaj”.
Momenti më emocionues në karrierë?: “Një moment emocional dhe shumë i gëzueshëm ka qenë shpallja kampion me Dritën në vitin 2018, po në të njëjtin vit ka lindur djali im”.
Padrejtësitë…: “Me thënë të drejtën padrejtësi kam pasur shumë, po s’kam dëshirë t’i përmendi, se vetëm sjellin kujtime të këqija, që unë mundohem mos m’i kujtu”.
Sa herë i shikon fanellat e ish-klubeve, çka ndjen?: “Është ndjenjë e jashtëzakonshme kur i shoh fanellat e të gjithë ekipeve ku kam qenë, sepse secila e ka historinë e vet për ta treguar”.
Cili klub ka një vend të veçantë në zemrën tënde?: “3 klube kanë vend të veçantë në zemrën tem. Prishtina është e para, sepse aty jam rritur si futbollist. E dyta është Drita sepse kam kujtime të paharrushme aty dhe Vëllaznimi, sepse jam ndjerë si neë shtëpinë time”.
Çka do të të mungojë nga futbolli?: “Më së shumti nga futbolli do t’më mungoj përditshmëria në stërvitje, ndeshjet me presion të ndryshëm, do t’më mungoj gjithçka, po deri në momentin kur do të përshëndetem me futbollin, po e shijoj në maksimum”.
Kur ke qarë në futboll?: “Po kam qarë për futbollin në vitin 2018, kur me Dritën e kemi kaluar raundin e parë parakualifikues ne Ligën e Kampionëve, dhe në vitin 2022 kur Lionel Messi është shpallur kampion bote”./GazetaExpress/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...