Ish-sulmuesi i Anglisë, Gary Lineker, ka bërë shaka duke thënë se mesfushori i Manchester United, Kobbie Mainoo, duhet ta padisë Ruben Amorim për “pothuajse shkatërrimin” e karrierës së tij.
Mainoo është bërë përfituesi kryesor i largimit të Amorim në dhjetor të vitit të kaluar, pas 14 muajsh në krye. Gjatë kohës së tij, Amorim e pati të vështirë t’i gjente një rol Mainoo-s teksa zbatonte sistemin e tij të diskutueshëm 3-4-3.
Mainoo shpesh mbetej në periferi të skuadrës, një situatë që u përkeqësua në fillim të këtij sezoni. Në fund të afatit kalimtar veror, ai kërkoi të largohej në huazim, por kërkesa iu refuzua. Vështirësitë për minuta vazhduan dhe besohet se lojtari po mendonte seriozisht opsionet e tij para janarit. Mainoo nuk e nisi asnjë ndeshje të Premierligës nën Amorim; starti i tij i vetëm ishte në eliminimin turpërues nga Kupa e Ligës kundër Grimsby Town.
Ardhja e Carrick ka qenë pikë kthese për Mainoon, i cili ka nisur titullar në katër ndeshjet e fundit dhe ka qenë vendimtar në bilancin perfekt të United. Kundër Tottenhamit në fundjavë ai ishte fantastik, me momentin kulmor asistimin e zgjuar për Bryan Mbeumo në golin e parë.
Ian Wright tha se Mainoo e ka “turpëruar” Amorim, ndërsa Lineker e përsëriti këtë mendim duke bërë shaka se talenti i akademisë së Carrington duhet të mendojë për veprime ligjore ndaj trajnerit portugez.
Lineker tha në podcastin “The Rest Is Football”:
“E dini çfarë? Nëse do të isha Kobbie Mainoo – dhe e them me shaka – do të mendoja nëse duhet ta padisja [Amorim] apo jo. Ai i ka marrë një vit nga karriera këtij djali. Ky djalë është një futbollist i mrekullueshëm. E bën të duket kaq e lehtë. Kërkon topin, e merr me këdo rreth tij dhe kthehet, gjithmonë merr vendimet e duhura, është elegant.”
“Po hajde tani! Ka qenë absolutisht i dëmshëm për karrierën e tij.”
Lineker gjithashtu e mbështeti Mainoon që të përfshihet në skuadrën e Anglisë për Kupën e Botës 2026.
“Nëse nuk futet në listë… dhe mendoj se ka shumë gjasa të futet nëse qëndron i shëndetshëm dhe vazhdon të luajë, sepse është një futbollist jashtëzakonisht i mirë.”
“E di që vëllai i tij pati pak telashe për bluzën me mbishkrimin ‘Free Kobbie’, por ka shumë të drejtë. Çfarë po mendonte ai [Amorim]?!”
“E them këtë (që ta padisë Amorim) me shaka, sigurisht, por është shumë e çuditshme që nuk e pa sa i mirë është ky i ri. Mendova: ‘A ka ndodhur diçka? A është bërë mendjemadh?’, por ai u kthye dhe është saktësisht ai që ishte më parë, që, po ta mendosh, ishte ndoshta lojtari më i mirë i Anglisë në Europian.”
Mainoo dhe Manchester United rikthehen në aksion të martën, kur do të luajnë në transfertë kundër West Ham./GazetaExpress/
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...