Një skenë krejtësisht e pazakontë ka ndodhur në Championshipin anglez, ku ndeshja mes Hull City dhe Bristol City u ndërpre dy herë për shkak të një… ketri që pushtoi fushën.
Hull City ishte duke humbur 3-1 në shtëpi ndaj Bristol City, kur në minutën e 54-t loja u ndal për shkak të një “mysafiri të paftuar”, shkruan mediumi britanik “The Sun”, përcjell “Gazeta Express”.
Squirrel stopped play!!! @HullCity @BristolCity @talkSPORT @TheAdrianDurham 😂😂😂 pic.twitter.com/Njx1vH4QoQ
— Mark Wilson (@MarkWilsonRadio) February 7, 2026
Klubi konfirmoi gjithçka me humor në rrjetin social X:
“Loja është ndalur për shkak të një ketri problematik…”
Disa nga futbollistët e morën situatën me sportivitet, ndërsa ketri vraponte nëpër fushë, duke shkaktuar të qeshura edhe te tifozët.
Loja rifilloi pas pak minutash, por vetëm pesë minuta më vonë, ketri u rikthye sërish, duke detyruar një tjetër ndërprerje.
Edhe pse skuadra e tyre ishte në disavantazh 3-1, tifozët e Hull City e shijuan momentin.
Madje, kur ketri e kaloi vijën e portës, shumë prej tyre brohoritën sikur të ishte shënuar gol.

Duke ironizuar situatën dhe një nga këngët e famshme të tifozëve, llogaria zyrtare e Hull City në X shkroi:
“Loja rifillon pasi u ‘sulmua nga ketri’.”
Edhe gazetari i talkSPORT, Mark Wilson, nuk i rezistoi humorit:
“Është kthyer! Ka qenë dy herë në portën e @BristolCity!
Më mirë sesa çfarë ka arritur @HullCity sot!”
Rreth tre minuta pas ndërprerjes së dytë, loja rifilloi përfundimisht.
Sa i përket ndeshjes, Hull City kaloi i pari në avantazh në minutën e 24-të me golin e Oli McBurnie.
Megjithatë, Bristol City reagoi fuqishëm dhe e përmbysi rezultatin para pushimit me golat e Rob Atkinson dhe Ross McCrorie.
Pesë minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Emil Riis Jakobsen e çoi rezultatin në 3-1 për mysafirët.
Hull e shënoi edhe një gol në minutën e 78-të me përforcimin e janarit Kieran Dowell, por Bristol City rezistoi deri në fund dhe fitoi 3-2.
Një ndeshje që do të mbahet mend jo vetëm për rezultatin, por edhe për ketrin protagonist që e vodhi skenën në Championship. /Gazeta Express