Një ndriçim i pazakontë rozë ka tërhequr vëmendjen e banorëve në Greater Manchester gjatë netëve të fundit, duke nxitur spekulime të shumta mbi origjinën e tij. Fillimisht i ngatërruar me Dritat e Veriut (Aurora Borealis), fenomeni misterioz rezultoi të mos ishte aspak natyror.
Shkëlqimi rozë që është vërejtur mbi Bolton dhe Manchester shkaktohet nga dritat LED të përdorura për mirëmbajtjen e fushave të futbollit në stadiumet e Manchester Cityt – Etihad dhe Joie Stadium – si dhe në Toughsheet Community Stadium, shtëpia e Bolton Wanderers.

Shefi i terrenit të Boltonit, Chris Simm, ka sqaruar për BBC Manchester se bëhet fjalë për teknologji moderne që përdoret për të përmirësuar cilësinë e barit.
“Pati disa buzëqeshje kur dëgjuam për thashethemet e Dritave të Veriut, por ndriçimi mbi stadium është thjesht pjesë e punës sonë,” u shpreh Simm.

Ai shpjegoi se bari ka nevojë për dritë dhe nxehtësi për të kryer procesin e fotosintezës, ndërsa tribunat e larta të stadiumeve, megjithëse ofrojnë pamje të shkëlqyera për tifozët, bllokojnë rrezet natyrale të diellit.
“Hija është armiku ynë më i madh. Fillimisht fokusohemi në zonat më të konsumuara të fushës, si porta dhe hapësirat e nxehjes, përpara se të trajtojmë të gjithë terrenin, sidomos kur temperaturat bien,” shtoi ai.
Sipas Simm, kërkesat moderne për cilësinë e fushave janë jashtëzakonisht të larta dhe pa këto pajisje do të ishte e pamundur të garantohej një sipërfaqe e përshtatshme për futboll profesional çdo javë.
“Ne në thelb po krijojmë një ditë vere në mes të dimrit të Lancashire-it,” përfundoi ai.
Ndriçimi rozë vjen si rezultat i teknologjisë së përditësuar LED, pasi studimet e fundit kanë treguar se kombinimi më efektiv i ngjyrave për të imituar dritën e diellit prodhon pikërisht këtë nuancë karakteristike. /GazetaExpress