Cole Palmer ka shkruar historinë në Premier League pas paraqitjes së jashtëzakonshme ndaj Wolverhamptonit, duke realizuar një hat-trick në fitoren 3-1 të skuadrës së tij në “Molineux”.
Mesfushori ofensiv shënoi dy herë nga pika e bardhë dhe më pas kompletoi tregolëshin nga loja e hapur, duke sinjalizuar rikthimin e formës pas një periudhe të vështirë me lëndime. Wolves arritën të ngushtojnë shifrat në pjesën e dytë me golin e Tolu Arokodare, por pa rrezikuar seriozisht fitoren e miqve.
Me këtë paraqitje, Palmer vendosi një rekord të ri historik, duke u bërë lojtari i parë në historinë e Premier League që shënon tre hat-trick-e në pjesën e parë të ndeshjeve.
Më herët, ai kishte realizuar tregolësha në 45 minutat e para ndaj Evertonit në prill 2024 dhe Brightonit në shtator 2024, ku madje shënoi katër gola brenda një pjese loje.
Pas ndeshjes, trajneri Liam Rosenior vlerësoi qetësinë dhe cilësinë e Palmerit nga penalltia, duke theksuar se sukseset individuale vijnë edhe falë lojës kolektive. “Cole është një lojtar i klasit botëror dhe kur skuadra funksionon mirë, ai di ta shfrytëzojë çdo moment,” u shpreh Rosenior.
Me këtë fitore, skuadra e Palmerit vazhdon garën në kampionat, ndërsa ylli anglez konfirmon statusin e tij si një nga talentet më vendimtarë të Premier League. /GazetaExpress