Udhëheqësi i Agjencisë për Sport pranë MKRS-së, Fidan Shatri, tha se punimet e Kuvendit shkuan sipas agjendës së paracaktuar dhe me pjesëmarrje të plotë të delegatëve, raporton Ekonomia Online.
“Punimet e Kuvendit shkuan në bazë të agjendës e cila ka qenë e përcaktuar nga vetë Kuvendi dhe po mendoj që u pa edhe pjesëmarrja e delegatëve në këtë rast, edhe procesi i cili shkoi ashtu qysh shkoi, siç e patë”, tha ai.
Shatri shtoi se komentet dhe dakordimet paraprake me UEFA-n dhe FIFA-n kanë ndihmuar në përfshirjen e çështjeve të rëndësishme në aktet e Federatës.
“Komentet kanë qenë të cilat kanë pasë të bëjnë me UEFA dhe me FIFA, të cilat në bazë të asaj çka keni pa edhe ju. Ne paraprakisht jemi takuar edhe me përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s dhe jemi dakorduar për shumë çështje që në të ardhmen e afërt të përfshihen edhe në aktet e Federatës së Futbollit”, tha ai.
Ai theksoi se pjesëmarrja e klubeve dhe delegatëve ishte plotësisht në përputhje me rregullat dhe se të gjitha vendimet u morën në bazë të agjendës.
“Po nëse vetë klubet, pjesëmarrësit, të gjithë klubet janë për proces ashtu siç e kanë edhe lirinë e pavarur të funksionimit, po mendoj që nuk kemi edhe çka të themi. Pra, me pjesëmarrjen prej 52 anëtarësh sa kanë delegatë sa kanë qenë prezent, të gjithë votuan për gjithçka në bazë të agjendës e cila ishte e paraparë”, tha ai.
Shatri theksoi detyrimin e institucioneve për të monitoruar ligjshmërinë e kuvendeve të federatave sportive, pa ndërhyrje në zgjedhje.
“Ne e kemi obligim që të marrim pjesë në të gjitha kuvendet e federatave të cilat mbahen. Pra, ne jemi të thirrur për të parë rregullativën, mbrojt ligjin, i cili edhe funksionojnë dhe të cilat janë të licencuara federatat sportive. Pra, nuk domethënë se pjesëmarrja që e legjitimon ose nuk e legjitimon një kuvend të një federate sportive. Pra, e thashë që obligimi jonë është që të jemi nga afër dhe të monitorojmë çdo proces i cili ka qenë, edhe cili ishte në Kuvendin e FFK-së”, tha ai.
Ai theksoi se Ministria nuk zgjedh organet apo kryetarët e federatës dhe se qëllimi është vetëm mbrojtja e ligjshmërisë dhe ngritja e nivelit të sistemit sportiv në vend.
“Në kontekst të shkrimit ka qenë ndërhyrje, por realisht nuk është ndërhyrje sepse pasi që Ministria as nuk zgjedh organet e federatës, as nuk zgjedh kryetarët e federatës. Pra, ne jemi që këtu që të mbrojmë ligjshmërinë ose të jemi këtu që organizatat sportive a punojnë përputhje me ligjshmërinë të cilin e kemi aktual në vendin tonë. Pra çështja e komunikimeve të mes UEFA-s dhe FIFA-s nuk kanë ndodhë vetëm tash në këtë kohë. Kemi pasur komunikime edhe më herët dhe sidomos do të kemi tash e tutje. Pra, nuk është që na ndërhyjmë në asnjë organizatë. Po besoj që këto vitet e fundit, përveç mbështetjes së madhe financiare që është rritur për federatat, nuk kemi pasur të bëjmë gjë të tillë. E procesi i ndryshimeve të rregullativës, pra është Ligji i ri për Sportin që është në 2024-tën që është në fuqi, pra vetë institucioni është nis nga vetja me bo rregullativë të re. Pra edhe kjo do të shtrihet në gjithë sistemin sportiv. Po të bëjmë një sistem sportiv, të ngrisim nivelin dhe të kemi më shumë suksese sidomos në anën sportive”, tha ai.
FFK sot ka mbajtur kuvendin në të cilin Agim Ademi sërish është zgjedhur në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ai në votim të hapur mori 52 vota, pa asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ademi nuk kishte asnjë kundërkandidat.
Kuvendi po ashtu miratoi edhe buxhetin e FFK-së për vitin 2026, i cili është rreth 25 milionë euro.
Ky do të jetë mandati i tij i tretë në krye të federatës, pas zgjedhjes së parë në vitin 2018 dhe rizgjedhjes në vitin 2022.