Cristiano Ronaldo po e feston një ditëlindje speciale. Sot sulmuesi i klubit Al-Nassr mbush 41 vjeç, duke e festuar jo vetëm një karrierë të jashtëzakonshme sportive, por edhe një perandori të madhe ekonomike.
Sipas Forbes, fitimet e tij vjetore arrijnë në 260 milionë euro: 200 milionë prej tyre vijnë nga kontrata me klubin saudit, ndërsa 60 milionë nga sponsorizimet dhe reklamat, përcjell “Gazeta Express”.
Ai është njëri nga personazhet më të ndjekur në botë, me më shumë se 665 milionë ndjekës në Instagram, ku çdo postim i tij mund të sjellë rreth 3.5 milionë euro, sipas Hooper HQ.
Pasuria e tij personale është rritur ndjeshëm vitet e fundit — nga rreth 500 milionë euro në 2022, deri në rreth 1.2 miliardë euro në 2024, sipas Forbes.
Ronaldo është gjithashtu një koleksionues i pasionuar super-makinash, me modele luksoze si një Ferrari 3 milionë dollarë, Bugatti Chiron 2.5 milionë, një Bugatti Veyron 1.6 milionë dhe një Ferrari F12 TDF rreth 1 milion dollarë, përveç disa makinave të tjera koleksioni.
Sipas vlerësimeve nga Sportico, ai konsiderohet historikisht si njëri nga sportistët më të paguar i të gjitha kohërave, me një pasuri të llogaritur midis 1.92 dhe 2.23 miliardë dollarë, duke u vendosur pas Michael Jordan (4.15 miliardë) dhe Tiger Woods (2.79 miliardë).
Ky dominim ekonomik dhe mediatik e bën Cristiano Ronaldon jo vetëm një klas botëror në fushë, por edhe një ikonë globale jashtë saj. /Gazeta Express